“Bin Ladenët” e Bankës së Shqipërisë

Shqipëria

“Bin Ladenët” e Bankës së Shqipërisë

Nga: Evarist Stoja Më: 15 qershor 2021 Në ora: 19:06
Foto ilustrim

Lajmi i publikuar gjerësisht në media që Banka e Shqipërisë do të dyfishojë madhësinë e prerjes së kartëmonedhës në qarkullim është befasues. Ndërkohë që Banka e Shqipërisë emeton kartëmonedhen 10.000 lek, prerje jashtëzakonisht e lartë, Banka e Shqipërisë deklaron me të madhe që lufta kundër informalitetit është prioritet (kuriozitet durimi i të cilëve ja del të triumfojë mbi mërzitshmërinë e dokumentit, mund ta verifikojnë të ky raport i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave).

Se si mund të luftohet informaliteti duke dyfishuar madhësinë e prerjes së monedhës, ky është një mister që vetëm ekspertet e BSH-së mund t’i japin përgjigje. Ndërkohë, përgjigje nuk ka dhe njeri nuk duket shumë i shqetësuar të ofrojë. Si argument për këtë vendim u ofrua kërkesa e tregut po asnjë fakt objektiv nuk u paraqit.

Edhe sikur të ishte vërtetë kështu, kërkesa e tregut duhej balancuar me objektivin parësor, themelor e permanent të luftimit të informalitetit që është një nga shkaqet e para të mospagimit të taksave, korrupsionit dhe krimit. Sikur këto kartëmonedha të ishin në qarkullim në 2014 kur ai bankieri ‘usta’ nxori 713 milionë lekë nga kasafortat e BSH-së, dëmi do të ishte 2-10 herë më i lartë.

Për ta bërë të qartë absurdin, ekonomia shqiptare është pafundësisht më e vogël se ajo amerikane dhe konsumatori shqiptar është mesatarisht 10-30 herë më i varfër se ai amerikan. Por prerja e kartëmonedhës së re 10.000 lekë që BSH-ja do të hedhë në qarkullim është përafërsisht e njëjtë në vlerë me 100 dollarë – prerjen më të madhe të kartëmonedhes amerikane që Banka Qendrore e tyre mban në qarkullim.

Në fillimet e saj Banka Qendrore Evropiane hodhi në treg kartëmonedhë me prerje 500 euro. Këto njerëzit filluan t’i quanin “Bin Ladena” – kartëmonedha që të gjithë e dinë që ekzistojnë, por askush, përveç një grushti kriminelësh, nuk i ka parë ndonjëherë. Pas një presioni të madh, veçanërisht nga Franca, Bordi i BQE vendosi të mos i hedhë më në qarkullim me argumentin se ato përdoren shpesh për të financuar krimin. Edhe Europoli qartë e thotë: “Jo të gjithw njerëzit që përdorin kesh-in (paranë e thatë ne dorë) janë kriminela, por të gjithë kriminelët përdorin kesh”.

Kartëmonedha €500 ishte kaq e vyer për kriminelët sa në tregun e zi shitej e blihej për më shumë se €500 (me kartëmonedha me prerje të vogël). Arsyeja është e thjeshtë. Kartëmonedhat e mëdha përdoren për fshehje, jo për blerje sepse vlerën e kanë të madhe dhe volumin të vogël. Një milion euro me kartëmonedha €500 peshon veç 2 kg, ndërsa me kartëmonedha $100 peshon 22 kg.

Dhe meqë ra llafi, vendimi i bordit te BQ-së erdhi si rrjedhim i presionit të madh të Francës që u impenjua fort për të eleminuar financimin kriminal pas sulmeve terroriste në Paris. Arsyet ekonomike janë thuajse elementare – kartëmonedhat me prerje të madhe luajnë rol të vogël në funksionimin e ekonomisë së ligjshme dhe rol thelbësor në ekonominë e zezë.

Çdo masë që e vështirëson mbajtjen e një shume në kesh, automatikisht I drejton njerëzit drejt sistemit financiar që rrit transparencën, ul evazionin fiskal, korrupsionin dhe krimin. Kjo është teza themelore e librit ‘Mallkimi i kesh-it’ të profesorit Ken Rogoff, dhe përpara se dikush të mbrohet me argumentin se ‘kemi mbështetjen e FMN-së për këtë vendim’, profesori Rogoff ishte krye-ekonomisti i FMN-së dhe e mbron këtë teze prej një çerek shekulli. Rreth vendimit të BQE për tërheqjen e kartëmonedhës €500, ai e thoshte troç, ”është pohim i heshtur i faktit që kartëmonedhat me prerje të madhe përdoren kryesisht për evazion fiskal dhe aktivitete kriminale”.

*Profesor i Financave në Universitetin e Bristolit, Mbretëri e Bashkuar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat