Kuvendi shqiptar miratoi ligjin e përthithjes së pensionistëve të huaj

Shqipëria

Kuvendi shqiptar miratoi ligjin e përthithjes së pensionistëve të huaj

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 23:23
Foto ilustrim

Kuvendi miratoi ligjin e ri për të huajt, që hap dy lloje të reja lejesh qëndrimi, për pensionistë e vendeve të tjera që duan të mbyllin vitet e tyre të pleqërisë në vendin tonë dhe për punonjësit dixhitalë nomadë.

Ligji synon që veç thjeshtimit të procedurave, dokumentacioneve dhe kritereve të tjera për të rinjtë, apo personat që aplikojnë për një vend pune në vendin tonë, të përthithet edhe ai që njihet si “emigrimi i pensionistëve”.

Në nenin 85 të ligjit të miratuar thuhet se shtetasit e huaj që janë në pension në vendin e tyre mund të aplikojnë për leje qëndrimi për pensionistë pranë autoriteteve përgjegjëse për kufirin dhe migracionin.

Në pikën dy të këtij neni thuhet se pensionisti i huaj duhet të provojë përmes një dokumentacioni nga vendi ku merr pensionin, ky pension duhet të jetë të paktën 1 mln lek të vjetra në muaj dhe të tërhiqet nga një bankë në territorin e Shqipërisë.

Leja e qëndrimit si pensionist mund të rinovohet çdo vit, ndërsa me këtë leje ndalohet ushtrimi i çdo aktiviteti tjetër, si punësimi apo hapja e ndonjë biznesi.

Kategoria tjetër që përfshihet në ligj janë punonjësit lëvizës digjitalë. Edhe kjo leje jepet për një vit dhe përfshin kategorinë e atyre personave që duan të jetojnë në Shqipëri, por punojnë në distancë për një kompani që nuk ndodhet në vendin tonë.

Ligji pason lehtësimin e ndërmarrë në vjeshtën e vitit të kaluar nga ana e qeverisë te përcaktimet e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat