Lëvizja e Kryemadhit me mandatin e Fierit, flet Ben Andoni

Shqipëria

Lëvizja e Kryemadhit me mandatin e Fierit, flet Ben Andoni

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 15:39
Ben Andoni

Analisti Ben Andoni tha për Euronews Albania se gjasat që Komisioni i Venecias të marrë në shqyrtim kërkesën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 janë të vogla.

Sipas Andoni, mund të ndodhë që Venecia të mos përgjigjet më pasi është përgjigjur një herë për të njëjtën temë, ndaj një interpretim i dytë për të njëjtën çështje do të ishte luks.

“Ky do të ishte edhe një mesazh për Gjykatën Kushtetuese, pasi po kalojnë dy vite nga zgjedhjet. Mund të ketë një reagim të vonuar ose mund të thonë se jemi shprehur një herë për këtë çështje. Venecia është krijuar për të dhënë asistencë teknike të vështirësisë shumë të lartë”, shpjegoi Andoni.

Ai komentoi edhe lëvizjen e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila vendosi të zgjidhte mandatin e marrë në qarkun e Fierit dhe jo atë të Tiranës, duke lënë pa mandat Keidi Mehmetajn dhe duke i dhënë mandatin e deputetit Petrit Vasilit.

Sipas analistit, teknikisht kjo është një lëvizje shume e rregullt nga LSI, pasi Vasili mban peshën kryesore në parti, por moralisht nuk është e rregullt, pasi LSI është një parti e investuar për të rinjtë.

“Të rinjtë po përdoren nga politika për të rregulluar ‘make up’-in e partive. Të rinjtë janë garniturë, ndaj e ardhmja e të rinjve është në formacione që ata vetë duhet t’i formojnë jo siç kanë gabuar deri më sot”, tha analisti.

Ai e cilësoi si të fashitur aksionin e opozitës me kreun e PD në krye, çka sipas tij ka bërë që kreu aktual i qeverisë të bëjë oponencë brenda partisë së vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat