Dosja sekrete: Nëpërmjet lidhjeve familjare të Kondos dhe Sukniqit, të shikohet mundësia e një letre presioni

Shqipëria

Dosja sekrete: Nëpërmjet lidhjeve familjare të Kondos dhe Sukniqit, të shikohet mundësia e një letre presioni

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 14:24
Aleksandër Kondo

Pjesa e katërmbëdhjet

Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni.  Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arkivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra  sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqësuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri  në vitin 2003.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.

                                                               Vijon nga numri i kaluar

Relacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, për dëshmitë e ardhura nga agjentura e Zbulimit Shqiptar në New York, lidhur me lëvizjet, takimet dhe bisedat e Kondos e Sukniqit me emigrantët në SHBA-ve

                                                                                                                       Sekret

                                                                                                             Ekzemplar Nr. 2

                                                                                                     Tiranë më 19.12.1986

Shoku B.S. nga New Jork me telin “Tepër urgjent” nr.1569, datë 14.12.1986 njofton:

Dhënë burimi “6131”

Tonit nr.1240 njoftojnë se:

Burimi “6131” me objektin dhe shokun e tij, ishte takuar disa herë. Në fakt me këtë të fundit takohet më shpesh, se ky ka shtëpi stabël, ndërsa me punë është tek…………………………! Me objektin, përsa na ka njoftuar, është takuar dhe ka biseduar në lokalin e burimit, që në ditët e para të nëntorit. Në këtë bisedë prezent ka qenë edhe………………………..! Me këtë të fundit, objekti shkon në lokalin që ka “6131” gati një herë në muaj.

Objekti nuk ka pasur adresë banimi dhe qëndrimi stabël. Këto i ka ndërruar shpesh. Gjatë nëntorit, ai së bashku me shokun e tij kanë punuar tek…………………………., në New Jork. Në takimin që ka pasur këto ditë me “6131”, për Kongresin e OKLL, ndër të tjera tha se objekti është larguar nga…………………………….dhe është futur në punë, në restorantin e një greku në Long Island, ku është vendosur dhe me banim. Si objekti ashtu dhe shoku i tij, kanë bërë punë të ndryshme, por me periudhë të shkëputur si pastrues, pjatalarës, mbledhës plerash, shitës biletash, etj.

Xhelali ka qenë dhe është i rregullt në punë. Të ardhurat për jetesë dhe banim, i ka siguruar nga punët e ndryshme që ka bërë. Por edhe nga ajo që para deri një muaji, kanë marrë para nga Zyra e Ndihmës së Emigracionit. Tani këto ndihma, i janë ndërprerë. Në fillim janë ndihmuar nga të arratisur të ndryshëm. “6131” i’u ka thënë gjithashtu se mbas goditjes që i’u bë…………………, objektit i ka hyrë frika se mos e pësojë dhe ai si…………………….., megjithëse janë krejt ndryshe nga njëri tjetri.

Është kjo arsyeja që “6131”, që ai ndërron shpesh banimin dhe punën që të ruhet shumë, nga çdo lëvizje që bën. Me të “6131”, është takuar kohët e fundit më 22 dhe 23 nëntor, në Kongresin e Bllokut. Por në të dyja ditët, ai ka qëndruar vetëm pak minuta dhe është larguar.

Me objektin dhe shokun e tij veç “6131” dhe “3869”, është takuar dhe “6296”, “6403”, “6126”, “6125”, “6167”, etj. Në takimin që patën me “4550”, u ka thënë që do të interesohej që do ti takonte e të bisedonte me ta.

Me rastin më të pare, do të dërgojnë planin e masave për ndjekjen e tyre.

Teli është parë nga shoku Ministër e shoku S.R. pa shënime.

U nxor në tre kopje, për burimin, për A. Kondon, dhe për Xh. Sukniqin.

             Puntori Operativ

                   D.M.

Plani i masave i Drejtorisë së III-të të Sigurimit të Shtetit, me detyrat përkatëse për ndjekjen, survejimin, kontrollin dhe presionet që do t’i bëheshin Kondos dhe Sukniqit në SHBA-ve

                                                                                                                 Sekret

                                                                                                      Ekzemplar i vetëm

                                                                                                   Tiranë më 24.12.1986

                 MIRATOHET

  ZV DREJTORI I DREJTORISË III

                       R. Z.

                                                          PLAN – MASASH 

                         AGJENTUROR OPERATIV NË DREJTIM TË ALEKSANDËR KONDOS

NË PËRPUNIM AKTIV 2.A.

I përmenduri është e ndiqet, në përpunim aktiv 2/A, si person me rrezikshmëri e tendenca të mprehta. Veprimtaria e tij armiqësore së bashku me shokun e tij Xhelal Sukniqi dhe rrezikshmëria e tyre është vërtetuar nga përpunimi i deritanishëm dhe konsiston në faktin, se ata janë shprehur e shprehen shumë armiqësisht ndaj vendit tonë, sistemit tonë shoqëror dhe udhëheqjes së Partisë e të shtetit, duke kaluar deri në telefonatat kërcënuese ndaj Misionit dhe shokëve tanë atje.

Janë të rekrutuar nga UDB-ja, dhe prej saj mund të shtyhen edhe në veprime të tjera të rrezikshme, për shkak të predispozicionit të tyre armiqësor veçanërisht A. Kondo. Për këto arsye si dhe për të parandaluar e ndërprerë në kohë çdo veprim të mundshëm, kundër vendit tonë e qytetarëve tanë jashtë shtetit, do të merren këto masa agjenturore operative:

Të ndiqen e sqarohen këto çështje kryesore:

Të përpunohet e ndiqet me preçedencë nga rezidentura e New Jork, gjithë aktiviteti armiqësor, jeta vetjake dhe shoqërore e Aleksandër Kondos.

Të mbahet nën kontroll të fortë e të vazhdueshëm, për të mësuar e evidentuar çdo lëvizje të tij jashtë New Jork e SHBA-së, për të parandaluar çdo tendencë e mundësi, për kryerjen e veprimeve të mprehta kundër përfaqësive tona e qytetarëve tanë jashtë shtetit.

Të përpunohet në thellësi e gjerësi, lidhja me UDB-në, shkallën aktuale të këtyre lidhjeve, detyrat që kanë marrë nga ky zbulim, dhe cilat janë synimet e UDB-së, apo të zbulimeve të tjera, sot e në të ardhmen për të përdorur A. Kondon e Xh. Sukniqin, kundër vendit tonë për qëllime terrori, inkuadrim në grup ose si individë për veprimtari diversive, etj.

Për ndjekjen e sqarimin e vazhdueshëm të këtyre objektivave do të merren edhe këto masa:

T’i kërkohet New Jork, të sqarojë sa më shpejt porositë e shokut Ministër, lidhur me tel. 1452 datë 20.11.1986:

Kur dhe si e ka takuar burimi “6131” Aleksandër Kondon, tani së fundi?

Ku punon, banon e me çfarë jeton A. Kondo?

Veç burimit “6131” kush tjetër nga burimet e ka takuar ose ka mundësi kontakti me A. Kondon?

 Telegram New Jork deri në 10.12.1986. 

                                             A. TH.

Kontrollon Kryetari i Degës VI, M.D.

Për përpunimin e A. Kondos dhe Xh. Sukniqit, të aktivizohen me detyra konkrete, burimet e rezidenturës së New Jork që kanë dhënë deri tani, “6432”, “6120”, “6131”, “6403”, “6402” dhe “6110”.

Për burimet “6131” dhe “6403”, rezidentura të përpilojë vija sjelljeje, për t’u afruar e përpunuar hap pas hapi A. Kondon dhe të përcaktojë burimet e tjera, që kanë mundësi të përpunojnë atë, direkt apo indirekt.

  Kryen rezidentura brenda 3 mujorit të I-rë 1987

             Kontrollon Kryetari i Degës së VI, 

                        M.D.

Sipas një të dhëne burimi “6120”, datë 2.11.1986, A. Kondo, ka braktisur punën dhe tani jeton me Xh. Sukniqin pasi kanë……………………dhe duan të blejnë një makinë të madhe për ta përdorur për përfitime.

Të sqarohet sa qëndron kjo e dhënë,……………………………………dhe kjo të shfrytëzohet për demaskimin dhe diskretitimin e tyre, si njerëz ordinerë e pa personalitet.

Kryen rezidentura e New Jork në vazhdim

  Kontrollon Kryetari i Degës së VI, M.D.

Në një nga të dhënat del se A. Kondo, mund të stabilizohet me banim në Itali, Belgjikë ose në ndonjë vend tjetër të Europës. Nëpërmjet burimeve të ndiqet kjo e dhënë dhe të sqarohet, nëse vazhdon të ketë këtë mendim, nëse e ka detyrë nga UDB-ja dhe a do e mbështesë ajo, kur mund të realizohet, vëndin konkret e qëllimet që synohen. Për këtë të ndiqen me përparësi të gjitha lëvizjet e tij jashtë SHBA-së.

     Kryen rezidentura në vazhdim

  Kontrollon Kryetari i Degës VI, M. D.

Sipas një të dhëne datë 28.3.1986, nga rezidentura e New Jork del se A. Kondo e Xh. Sukniqi, kanë nënshkruar deklaratë bashkëpunimi me UDB-në, se janë porositur prej saj të frekuentojnë vazhdimisht konsullatën jugosllave në New Jork dhe se në një rast është konstatuar se atyre, u janë dhënë të holla në konsullata nga zbuluesit jugosllavë, në prani të disa të arratisurve të tjerë. Për përpunimin dhe thellimin e mëtejshëm të kësaj të dhëne, të udhëzohen burimet e mundshme e të verifikojnë:

Cilët të arratisur kanë qenë prezent, e çfarë thonë ata për këtë gjë?

Nëse UDB-ja, i ka dhënë dhe herë të tjera të holla dhe nëse i mban ajo në këtë mënyrë?

Çfarë udhëzimesh e detyrash u jep UDB-ja?

          Kryen rezidentura në vazhdim 

      Kontrollon Kryetari i Degës VI, M.D.

Sipas burimit “6402” F.M. dhe R.S. janë shprehur se A. Kondo, nuk ka pranuar të flasë për radion e Legalitetit nga frika se mos u ndodh gjë njerëzve këtu.

Të shfrytëzohet kjo me qëllim, që nëpërmjet lidhjeve familjare që ka A. Kondo këtu, pasi të studiohen, të shikohet mundësia e bërjes së një letre presioni prej tyre.

Kryen A. Th. brenda 6 mujorit të I-rë 1987

       Kontrollon Kryetari i Degës VI, M. D.

Të studiohen kushtet dhe mundësitë dhe të shfrytëzohet ndonjë rast i përshtatshëm për t’i bërë dhe ndonjë telefonatë anonime për t’i frikësuar.

Kryen rezidentura në vazhdim

       Kontrollon Kryetari i Degës VI, M. D.

Nisur nga të dhënat që bëjnë fjalë për shprehje të pakënaqësisë nga ana e A. Kondos dhe Xh. Sukniqit, në adresë të………………………….i cili sipas tyre nuk interesohet për punën e jetesën e keqe që ata bëjnë, të shfrytëzohet kjo:

Që agjentura jonë, që ka lidhje e mundësi kontakti me këta të arratisur, të punojë për t’i shtuar e thelluar këto pakënaqësi.

Mbi këtë bazë e duke shfrytëzuar të dhënat e tjera mbi veset negative e pikat e dobëta që dimë për ta, të përpunohet një letër anonime.

Të ndiqen e përpunohen veprimtaria dhe lidhjet e tij me Legalitetin e krerët e tij të cilët, përpiqen të mbajnë më pranë e ta angazhojnë në veprimtari armiqësore. Të verifikohet e sqarohet pjesëmarrja e A. Kondos në Kongresin e fundit të Bllokut Indipendent, motivet dhe qëndrimi që ka mbajtur.

Kryen rezidentura në vazhdim

     Kontrollon Kryetari i Degës VI, M. D.

Rezidentura e New Jork, të studiojë e evidentojë, të gjitha lidhjet shoqërore, miqësore, etj, të A. Kondos e Xh. Sukniqit. Të bëhet diferencimi i tyre, duke rekomanduar e zgjedhur elementë të përshtatshëm prej tyre, për studim e interes operativ.

Kryen rezidentura brenda 3 mujorit të 1 1987

   Kontrollon Kryetari i Degës VI M. D.

Rezidentura e New Jork, të bëjë e të ndjekë, me plan të rregullt masash A. Kondon e Xh. Sukniqin dhe të na e dërgojë edhe neve në qendër.

Kryen rezidentura brenda 3 mujorit të I-rë 1987

      Kontrollon Kryetari i Degës VI, M.D.

Për çështjet e mësipërme, t’i bëhet katër operative rezidenturës së New Jork për ndjekjen e detyrave të përpunimit me përparësi të A. Kondos dhe Xh. Sukniqit.

Kryen A. Th. deri në 30.1.1987

       Kontrollon Kryetari i Degës VI, M.D.

Në fund të vitit 1987, të analizohet plani i masave dhe në varësi nga dinamika e veprimtarisë së tyre armiqësore, të përpilohen detyra të tjera në vazhdim të planit të masave.

                  PUNTORI OPERATIV

                         A. Th.

                 KRYETARI I DEGËS VI

                              M.D.

Relacione të Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për informatat e ardhura nga agjentura e Zbulimit Shqiptar në SHBA-ve, lidhur me lëvizjet, qëndrimet dhe bisedat e Kondos e Sukniqit me shqiptarët e arratisur atje

                                                                                                                          SEKRET

                                                                                                                  Ekzemplar i vetëm

                                                                                                                  Tiranë më 6.5.1987

  Burimi “6403”

   New Jork 5.8.1986

                                                               I N F O R M A T Ë

I arratisuri Aleksandër Kondo, gjendet mjaft keq moralisht, i dërrmuar, dhe i mërzitur. Tani ka filluar një punë të dytë si pastrues në një dyqan. Nuk është shprehur për ndonjë veprim të mprehtë kundër Shqipërisë. Ka thënë se ka dërguar para në Shqipëri, por i’a kanë kthyer mbrapsht.

OFICERI I DREJTIMIT

             N. Gj.                                                                                                  Sekret

                                                                                                                Ekzemplar Nr 1

                                                                                                             Tiranë më 22.5.1987

     Marrë p.op. B.S.

    Dhënë burimi “6131”

     Datë 17.11.1986

                                                                I N F O R M A T Ë

Të arratisurit Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, megjithëse banojnë veç e veç nga njëri tjetri me punë, janë vendosur që të dy në ndërtesën ku është përgjegjës A.B. në Manhattan të New Jork dhe punojnë si puntorë pastrimi. Burimi tha se sikur dhe herët e tjera Aleksandri, vazhdon të shprehë pakënaqësi ndaj regjimit në Shqipëri, ndërsa Xhelali tregohet më i rezervuar.

Puntori Operativ

               D.M.                                                                                             Sekret

                                                                                                              Ekzemplar Nr 1

                                                                                                           Tiranë më 22.5.1987

Marrë P.op. B.S.

Dhënë burimi “6131”

Datë 31.7.1986

                                                                     I N F O R M A T Ë

Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, vazhdojnë të jenë akoma në New Jork por që kohët e fundit, nuk banojnë më së bashku. Aleksandri shkon herë pas here në lokalin që ka burimi dhe ky, i ka dhënë gjithmonë për të ngrënë. Por asnjëherë nuk i ka dhënë para, megjithëse Aleksandri i ka hedhur ndonjëherë fjalën indirekt për para. Që të dy kanë ndërmend që të shkojnë me punë tek………………………….., ose si puntorë pastrimi në ndërtesën ku është përgjegjës…………………..! Kohët e fundit që të dy këta, sidomos Xhelali, nuk para flet keq për Shqipërinë dhe rrijnë si të frikësuar. Memorie.al

             Puntori Operativ

                     D.M. 

                                                          Vijon në numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat