Prapaskenat e frikshme të kërcënimit me jetë të ambasadorit Soreca

Shqipëria

Prapaskenat e frikshme të kërcënimit me jetë të ambasadorit Soreca

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 16:49
Luigi Soreca

Lajmi për shtimin e eskortës të ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, duket se nuk mori vëmendjen e duhur në opinionin publik.

Italiani Soreca, ka shumë mundësi që të mos jetë tronditur shumë nga ky regjim i ri i lëvizjes së tij personale, pasi ai është mësuar me eskortë që herët, kur ishte pjesë e taskforcës antimafie të Prokurorisë së Palermos, që drejtohej nga Giovani Falcone në fund të viteve 80 të shekullit të shkuar.

Por lajmi se diplomati i Bashkimit Europian ndjehet i kërcënuar në një vend që synon të integrohet në BE, është mjaft shkatërrues për Shqipërinë.
E nga ana tjetër, kërcënimi i tij, duket se ka dukshëm një prapavijë dhe synim të qartë që orienton drejtimin nga vijnë kërcënimet.
Jo më larg se sot, Aleanca për Teatrin sulmoi Luigi Soreca-n, duke e lidhur me atë që ata e quajnë “presion ndaj Gjykatës Kushtetuese”. Duket se ky grupim, është vënë në shërbimin e vogël të Ilir Metës, jo për të bërë shantazh në lidhje me vendimin e Kushtetueses për Teatrin, por për vendimin më të rëndësishëm, siç është ai për shkarkimin e Presidentit.

Siç bëjnë të ditur për ‘Pamfleti’-n burime diplomatike, kërcënimet kanë mbërritur në formë mesazhesh elektronike në rrjetin social të delegacionit të BE-së, por edhe në letra që janë dorëzuar tek selia e Komisionit Europian në Tiranë.

Kërcënimet kanë qenë të egra, e janë vlerësuar menjëherë nga ana e Policisë së Shtetit, sapo është marrë në dijeni të ketyre fakteve.
Sipas ekspertëve të kërcënimeve ndaj zyrtarëve, bëhet fjalë për një lëvizje të qartë shantazhi politik.

Një shantazh që synon të krijojë një mjergull, sipas së cilës, është e nevojshme një qetësim i situatës. E për këtë, shantazhuesit, synojnë që si kundërpërgjigje të ketë një ulje të aktivitetit diplomatik, por edhe një “ekuilibrim të situatës”, duke sugjeruar një zbutje me Ilir Metën. Vonesa apo mungesa e vendimit për shkarkim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duket qartë se do të shtynte si damkosjen e pritshme të Metës nga DASH si “Non grata”, por edhe hapjen e dosjes së tij nga ana e SPAK.

Në Tiranë prej ditësh kanë mbërritur specialistë të rëndësishëm të Europolit, të cilët kanë arritur të bëjnë ekspertizat e duhura për kërcënimin ndaj Soreca-s.
E siç mësohet, është lokalizuar grupi dhe zona nga i ka ardhur kërcënimi ambasadorit të BE në Tiranë.

E dalja e një përfaqësuese së “Aleancës” për të sulmuar Soreca-n sot, një person që është afër Ilir Metës, nuk është gjë tjetër veçse një “dekonspirim” i detyruar, për të ulur alarmin që Europol ka zbuluar nga vjen sulmi.

Nga ana tjetër edhe zyrtari i lartë i DASH, Philip Reeker, mësohet se do t’i kërkojë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që të ndalohen sulmet ndaj përfaqësuesve të SHBA e BE, e madje t’i mbrojnë politikisht.

Burimet bëjnë të ditur se ekspertët e Europol kanë zbuluar me anë të shkrimit, autorët e kërcënimeve, e këto ditë priten arrestime të bujshmë. Ndaj dhe sot ka dalë publikisht sulmi ndaj Soreca-s, për tu mbrojtur politikisht ndaj nisjes së hetimeve, që duket se kanë bazë të fortë ekspertize.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat