​Shqipëria synon rritje ekonomike prej 5.5%, Denaj: Biznesi i vogël më i godituri në pandemi

Shqipëria

​Shqipëria synon rritje ekonomike prej 5.5%, Denaj: Biznesi i vogël më i godituri në pandemi

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 12:00
Anila Denaj

Qeveria shqiptare po synon rritje ekonomike prej 5,5 për qind gjatë këtij viti. Ndonëse pandemia ka goditur edhe sektorin e ekonomisë, tre muajt e parë krahasuar me atë paraprak kanë shënuar një rritje ekonomike. Megjithatë, sfidë e madhe mbetet tregu i lartë i informalitetit dhe shkalla e papunësisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri flet për fondin e rindërtimit të Shqipërisë, paketat e dizajnuara në ndihmë të bizneseve dhe qytetarëve dhe hapat që po ndjekin në rast të një mbyllje të sërishme të vendit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tregon për sfidat në sektorin e ekonomisë së Shqipërisë. Ajo thekson se gjatë kësaj periudhe kanë hartuar paketa të drejtpërdrejta për qytetarët në gjendje të rënduar sociale dhe garanci sovrane për biznese.

Denaj: Biznesi i vogël ka qenë më i godituri në strukturën ekonomike të Shqipërisë

“Sistemi financiar bankar ishte më aktiv për të mbështetur bizneset me likuiditet pikërisht me garanci sovrane. Pra, masa të drejtpërdrejta për pagesa dhe garanci sovrane. Kjo është vetëm në fazën e parë. Në momentin që u rihapem ne kemi bërë një sërë masash për rimëkëmbjen ekonomike, të cilat shkojnë që nga lehtësimi i politikave fiskale për biznesin e vogël. Biznesi i vogël ka qenë më i godituri dhe në strukturën ekonomike të Shqipërisë përfaqëson 90 për qind të strukturës së bizneseve”, thotë ajo.

Në po këtë periudhë, Denaj shton se janë lehtësuar edhe pagesat e TVSh-së, ndërkohë që 2/3 e bizneseve nuk kanë paguar as edhe tatim fitimi.

Ajo flet për dëmet nga tërmeti dhe procesin e rindërtimit të zonave që u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore.

Denaj: Është një fond prej 620 milionë dollarë që i shkon fondit të rindërtimit

“Tërmeti i cili i la një faturë mbi 1 milion euro dhe fatura e pandemisë e cila është ende duke u kalkuluar. Por, të mendojmë që financat publike për të ri-alokuar fonde për këto paketa që thamë, duhet të shkurtonte shpenzimet buxhetore, sigurisht që i kemi pasur dilemat dhe kemi menduar që do të ishte një frenim i ekonomisë dhe nuk do të kishim mundësinë që të injektonim aq sa do t’i duhej ekonomisë. Edhe plani i rindërtimit vijoi dhe pothuajse 300 milionë dollarë janë akorduar në vitin 2020 për planin e rindërtimit dhe e njëjta masë për 2021-2022, në total është një fond prej 620 milionë dollarë që i shkon fondit të rindërtimit. Por, fondi i vaksinave, fondi i projekteve të infrastrukturës nuk u shkurtua. Projeksionet tona në fund të vitit ishin për një tkurrje ekonomike për -6,1 për qind”, thekson ajo.

Megjithatë, Denaj thekson se tkurrja ekonomike në fund të vitit ishte për -3,3 për qind.

Denaj: Kemi rritje ekonomike pozitive në tre mujorin e parë

“Kemi një tregues të tre mujorit të parë të rritjes ekonomike pozitive. Dhe krahasuar me tre mujorin e parë të 2020 me 5,53 për qind. Në fakt parashikimet për këtë vit janë 5,5 për qind. Që i bie që edhe në tre mujor 2 dhe 3 që janë tremujoret më pozitiv, me tregues më pozitiv se ndikohen sidomos nga turizmi dhe duket që kjo po shkon pozitivisht. Mendojmë që do të arrijmë 5,5 për qind”, deklaron ajo në intervistën për KosovaPress.

Bujqësia në Shqipëri kontribuon me 20 për qind të rritjes ekonomike. E para e financave dhe ekonomisë në qeverinë shqiptare deklaron se indeksi i biznesit në raport me klimën e investimit po përmirësohet.

Derisa flet për punësimin, thekson se ritmi i papunësisë është 11,9 për qind. Por, sipas saj, sfida aktuale është nevoja për aftësim të fuqisë punëtore.

Denaj: 11,9 për qind ritmi i papunësisë në vend

“Nëse flasim për ritmin e papunësisë ne flasim për një ritëm papunësie diku te 11,9 për qind. Është një tregues i rritur prej 0,1 për qind nga tremujori i fundit, apo me 1,4 për qind nga një vit tek tjetri. Po flasim për një rritje të treguesit të papunësisë shumë të vogël në krahasim me numrin e pritshëm pas një viti krize. Megjithatë, ajo që besojmë fortë është që numri i të punësuarve sot nuk tregon vërtet vështirësitë që po has tregu i punës. Sepse në qoftë se flasim për numrin e të punësuarve, ne sot kemi në qershor të 2021, 710 mijë e 464 nëse marrim qershorin e kaluar nga 676 mijë e 671”, thekson ajo.

Në intervistën për KosovaPress, Denaj thotë se “plagë për vendin” po mbetet tregu informal. Ajo tregon se çfarë do të ndërmerret në rast të mbylljes si shkak i shpërndarjes së variantit “Delta”.

Denaj: Skemat e garancive sovrane vijojnë

“Nëse neve do të duhej të kufizoheshim atëherë do të mendonim disa skenarë mbështetje të cilët do të ishin adekuatë me masat. Ka një fond të caktuar që ju jepet ndihmës sociale, sepse njerëzit të cilët janë në një kufi më të ulët të të ardhurave janë më të predispozuar të humbin këto të ardhura në moment krize. Dhe aty fondi i ndihmës ekonomike është i pari që do të preket për tu shtuar, nëse do të kemi nevojë për një gjë të tillë”, përfundon Denaj.

Shqipëria tashmë ka hapur sezonin e ri turistik, ajo pret që 80 për qind e kapaciteteve të turizmit të shfrytëzohen këtë vit. Denaj shton se janë të fokusuar në zhvillimin ekonomik në fusha që Shqipëria i ka akoma të pazhvilluara, si ekonomia e gjelbër dhe ajo e kaltër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat