Meta: Rast i përsëritur i cenimit fizik të reporterëve, meriton ndëshkim ligjor

Shqipëria

Meta: Rast i përsëritur i cenimit fizik të reporterëve, meriton ndëshkim ligjor

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Presidenti i Republikës Ilir Meta e cilëson një incident të rëndë atë që ndodhi sot me gazetarin e News24 Ergys Gjençaj, i cili u shtri në tokë me duart pas dhe u cilësua bashkëpunëtor nga policët në aksion pasi filmoi një operacion antidrogë.

Meta deklaron se ky rast i përsëritur i cenimit fizik të reporterëve meriton ndëshkim ligjor dhe është një tjetër incident i rëndë, që dëshmon se përdorimi i pajustifikuar i dhunës, veçanërisht ndaj përfaqësuesve të medias, është kthyer në një mentalitet shqetësues në radhët e Policisë, që duhet trajtuar me zero tolerancë.

“Dënoj me forcë dhunën arbitrare të punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të “News24”, Ergys Gjençaj, i cili ishte në krye të detyrës dhe që gjithmonë ka dëshmuar profesionalizëm të lartë për informimin publik.

Ky rast i përsëritur i cenimit fizik të reporterëve meriton ndëshkim ligjor dhe është një tjetër incident i rëndë, që dëshmon se përdorimi i pajustifikuar i dhunës, veçanërisht ndaj përfaqësuesve të medias, është kthyer në një mentalitet shqetësues në radhët e Policisë, që duhet trajtuar me zero tolerancë, në përputhje me ligjin.

Duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për të gjithë gazetarët kurajozë dhe të pavarur, theksoj se liria e medias është thelbësore për demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaron Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat