Si dështoi plani i arratisjes nga “313” me 20 metra çarçaf të gërshetuar e një çengel!

Shqipëria

Si dështoi plani i arratisjes nga “313” me 20 metra çarçaf të gërshetuar e një çengel!

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Disa çarçafë të gërshetuar me njëritjetrin, në formën e një litari 20 metra të gjatë dhe një çengel hekuri, kanë qenë mjetet e përdorura nga të dënuarit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, për t’u arratisur nga Burgu 313.

Pjesë e planit të tyre ka qenë edhe një i dënuar tjetër, Lulzim Çepele, i cili ndodhet në burg për “Shfrytëzim prostitucioni”, i cili i ka paraprirë tentativës së arratisjes, duke prerë damarët.

Fiks në orën 15:00, ditën e diel, kur është edhe orari i ajrimit, në një ambient të krijuar të tarracën e katit të tretë të burgut, gardianët kanë marrë sinjalizimin e parë për një tentativë vetëvrasje.

Ky moment ka qenë pikërisht ai që prisnin Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri. Kur gardianët kanë shkuar për t’i dhënë ndihmën e parë Çepeles, Çekaj e Pjetri kanë hedhur çarçafët e bërë gërshetë që i kishin ngecur në një kënd në tarracën e zonës së ajrimit dhe duke u varur në “litarin” e bërë vetë, kanë arritur të zbresin te shkallët e jashtme, që ndodhen në katin përdhese, pranë zyrave të administratës. Distanca mes zyrave të administratës dhe qelive është afro 30 metra.

Nga aty, dy të dënuarit kishin planifikuar që më pas të kapërcenin edhe muret e jashtme të burg, për të dalë në rrugë, ku me shumë mundësi mund të ketë qenë duke i pritur ndonjë bashkëpunëtor, për të cilin tashmë po hetohet. Por gjithçka ka dështuar, pasi një punonjës Policie i ka pikasur në momentin që ata kanë zbritur nga tarraca dhe ka dhënë sinjalin tek kolegët e ka tentuar t’i ndalojë. Nga përleshja me ta, efektivi ka mbetur i plagosur, pasi mësohet se është goditur me çengelin e hekurit që ata kishin me vete.

HETIMI

Menjëherë pas ngjarjes, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka nisur hetimet për veprimet e mosveprimet e efektivëve të Policisë së Burgjeve që ishin me detyrë gjatë ditës së diel. Hetimi ka nisur për neglizhencë, por edhe ndonjë bashkëpunim të mundshëm, nisur nga disa rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. E para lidhet me faktin se si një mjet 20 metra i gjatë, që në këtë rast ishte litari i formuar nga gërshetimi i çarçafëve është ngjitur në katin e tretë, në zonën e ajrimit. E dyta lidhet me faktin se përse nuk janë kontrolluar dhe nëse janë kontrolluar, si nuk janë zbuluar objektet që konsiderohen të jashtëligjshme, litari dhe çengeli. Ndërsa e treta ka të bëje me monitorimin e kamerave të sigurisë, që janë të vendosura në çdo kënd, e megjithatë në një moment duket se të dënuarit nuk janë pikasur.

NGJARJA

Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka sqaruar të dielën të gjithë dinamikën e ngjarjes, ku sqaroi se një tjetër i dënuar dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i tyre, pasi pak momente përpara tentativës së arratisjes, ai ka prerë damarët e dorës. Ky incident ka tërhequr vëmendjen e punonjësve të sigurisë, duke i lënë rrugën e hapur Çekajt për t’u arratisur. “Rreth orës 15:15 në IEVP Jordan Misja, Tiranë, forcat policore të burgjeve kanë parandaluar një tentativë për arratisje të dy të paraburgosurve që ndodhen në këtë institucion, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri. Nga verifikimi paraprak i kryer nga DPB dhe SHKBB, rezulton se dy të paraburgosurit e kanë organizuar tentativën për arratisje në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Dyshohet që tentativës para arratisjes i ka paraprirë një incident i kryer nga një i paraburgosur tjetër, i cili ka tentuar të presë damarët e dorës, duke tërhequr kështu vëmendjen e forcave të sigurisë, të cilat po merrnin masa për ta shoqëruar në spital për të marrë shërbimin e duhur shëndetësor. Të paraburgosurit kanë tentuar që të kryejnë arratisjen gjatë orarit të ajrimit, të cilët janë pikasur nga punonjësit e Policisë së burgut ‘313’, që kanë marrë masat e duhura të menjëhershme për kapjen dhe neutralizimin e tyre. Gjatë tentativës për të dalë dy të paraburgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut ‘313’, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore”, tha zyrtarisht Drejtoria e Burgjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat