Nis të stabilizohet situata e zjarreve në vend

Shqipëria

Nis të stabilizohet situata e zjarreve në vend

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 09:05
Ilustrim

Situata e zjarreve në vendin tonë ka ardhur duke u përmirësuar ditën e djeshme. Ministria e Mbrojtjes me anë të një njoftimi zyrtar, bëri të ditur se në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra që nuk janë shuar akoma, teksa shtoi se beteja me flakët në Karaburun e Dukat tashmë ka mbaruar.

Po ashtu, Ministria njoftoi se një vatër në fshatin Patalej të Bashkisë Lezhë ka pasur nevojë për ndërhyrje nga ajri kështu që është angazhuar një helikopter. Ndërkohë, në Kukës situata është stabilizuar totalisht, ndërsa po punohet me shuarjen e disa vatrave të vogla të cilat nuk përhapin problem. Nga ana tjetër, një vatër e re është aktivizuar në Pukë ku menjëherë janë angazhuar forcat e zjarrfikëses dhe forcat e shërbimit pyjor për të stabilizuar situatën.

“Në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri ende të pashuara, ndërsa tashmë është fituar beteja në Karaburun e Dukat. Të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Munellë e Domgjon në bashkinë Mirditë janë shuar. Mbetet ende një vatër në fshatin Patalej në bashkinë Lezhë, ku është angazhuar edhe një mjet helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Por situata është nën kontroll. Në Majën e Rrunës, në njësinë administrative Malzi të Kukësit situata është nën kontroll. Po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla. Është raportuar një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë angazhuar forcat e zonës për të vënë situatën nën kontroll”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Vatër e re zjarri edhe në Bashkinë Dropull

Nga ana tjetër, një vatër e madhe zjarri është konstatuar në fshatin Radat, bashkia Dropull, në kufi me Greqinë. Dyshohet se zjarri është vendosur nga dy barinj që po kullosnin bagëtitë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e zjarrfikëses së Dropullit për të shuar vatrën e krijuar. Situata vijon të jetë kritike, pasi zjarri ka përfshirë tashmë edhe zonën e banuar.

Zjarrfikësit e Dropullit, Libohovës dhe Gjirokastrës, po ashtu dhe forcat e policisë kanë ndërhyre menjëherë në vendngjarje për të neutralizuar situatën në mënyrë që të shuajnë vatrat atje. Pas angazhimit të forcave dhe ndërhyrjes së tyre në moment, tani nuk paraqitet më rrezik për banesat në fshatin Radat. Rreziku i madh për zonat e banuara u shmang ndërsa forcat vazhdojnë të jenë në zonë duke monitoruar për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre tjetër.

Gjithashtu në Korçë, një zjarr i rënë në afërsi të konvikteve të studentëve dogji një sipërfaqe me shkurre atje, por u bë e mundur vendosja e tij nën kontroll në moment. Nga ana tjetër edhe në Mbreshtan të Kolonjës, një zonë e thellë malore, mendohet se dy vatra zjarri kanë përfshirë një sipërfaqe prej 20 hektarësh, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë bërë rreth 5 orë rrugë për të shuar flakët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat