Festa e Birrës/ Kjo e papritur i ndodhi Bregoviqit gjatë performancës së tij

Shqipëria

Festa e Birrës/ Kjo e papritur i ndodhi Bregoviqit gjatë performancës së tij

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 17:30
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 00:08) - Përfundon koncerti i Bregoviqit në Korçë

Ka përfunduar performanca e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në Festivalin e Birrës në Korçë.

Bregoviq këndoi para shqiptarëve për më shumë se një orë e gjysmë, ku performancën e filloi në ora 22:00.

Gjatë koncertit pati disa incidente, ku në një rast është hedhur gaz lotsjellës gjë që çoi në arrestimin e tetë personave.

Menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës, ishin Tifozat Kuq e Zi që reaguan me një fotografi ku shkruhej “ky nuk është një mesazh Facebooku”.

Tetë persona shoqërohen në polici, shkak hedhja e gazit lotsjellës gjatë performancës së Bregoviqit

Tetë persona tashmë janë shoqëruar nga Policia e Shqipërisë, të cilët dyshohet se hodhën gaz lotsjellës në Festivalin e Birrës në Korçë, gjatë kohës sa ishte duke performuar këngëtari serb, Goran Bregoviq.

Policia e Shqipërisë ka shtuar kontrollin në të gjithë zonën për të parë në rast se ka persona të tjerë që me vete kanë gaz lotsjellës.

Image

 

Shoqërimet në polici i kanë kundërshtuar banorët teksa bërtisnin “bravo, bravo”, për të shoqëruarit nga policia.

Për më parë videon klikoni KËTU

***

Një i ri dyshohet se ka hedhur gaz lotsjellës gjatë performancës së Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se është kapur nga policia. Ndërkohë pjesëmarrësit shihen duke fërkuar sytë për shkak të djegies që i shkakton gazi lotsjellës, ndërsa disa të rinj kanë shpërthyer në lot.

Nuk kanë munguar edhe ata që kanë pyetur policinë për kontrollin që i kanë bërë të gjithë personave të pranishëm.

Lajmi se Bregoviq do të performojë më 22 gusht në Festën e Birrës në Korçë në Shqipërinë juglindore, ka shkaktuar një valë të reagimeve në Kosovë.

Po ashtu, është iniciuar një peticion online kundër pjesëmarrjes së Bregoviqit në këtë ngjarje në Korçë. Peticioni, që deri më tani është nënshkruar nga rreth 6.000 persona, thotë ndër të tjera se Bregoviq me këngën “Kallashnikov” “zgjoi nacionalizmin serb” dhe se fjalët në këngën "pucaj" (qëllo); "jurish" (sulmo); dhe "Boom Boom Boom", "janë tingujt që nxitën ushtarë e paramilitarë serbë për të kryer masakra në Kosovë, por edhe më gjerë në Ballkan në vitet e 90-ta”.

Po ashtu edhe muzikantë të shumtë nga Kosova dhe Shqipëria u tërhoqën nga festivali.

Një protestë në Korçë ishte paralajmëruar edhe në rrjetet sociale, dhe disa media nga Kosova raportuan se atje ishin mbledhur katër persona, të cilët ecnin me pankartën "Bregoviq nuk je i mirëpritur në festën ‘Birra Korça’! Nëse kërkoni ndjesë për të kaluarën, të falim”. Festivali organizohet nga Bashkia e Korçës. 

***

Në kuadër të Festës së Birrës në Korçë, Policia Rrugore ka marrë masat për të menaxhuar ngarkesën e trafikut për shkak të fluksit të madh të automjeteve në akset kryesore.

Sipas Policisë, ka prezencë të shtuar të uniformave blu duke ushtruar kontrolle për shpejtësinë me radar, për përdorimin e pijeve alkoolike me dragera. Ndër të tjera thekson se mbrëmjen e sotme, në aktivitet do të lejohen të hyjnë vetëm personat të cilët janë të pajisur me biletë.

Pranë vendit të quajtur “City Center”, të gjithë qytetarët do t’i nënshtrohen edhe një kontrolli fizik, ku nuk do të lejohet mbajtja e sendeve të ndaluara dhe më pas do të mund të hyjnë në brendësi të Terminalit, vetëm nëpërmjet hyrjes kryesore nga “City Center”.

Shërbimet e Policisë, kanë siguruar dhe janë në marrje e vlerësim të çdo lloj informacioni për persona të cilët mund të kenë tendenca për veprime të dhunshme.

Njoftimi i plotë

Në vijim të masave të marra në kuadër të Festës së Birrës-Gusht 2021, nisur nga fakti se fluksi i automjeteve në aksin rrugor Qafë Thanë-Korçë, është shumë i lartë, Policia apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të respektojnë sinjalistikat vertikale dhe horizontale, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe të celularit gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit me qëllim shmangien e  ngjarjeve të mundshme rrugore.

Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme janë prezente në të gjitha akset rrugore, për të menaxhuar ngarkesën e trafikut, rritur sigurinë rrugore dhe duke ushtruar kontrolle për shpejtësinë me radar, për përdorimin e pijeve alkoolike me dragera, për dokumentacionin e nevojshëm dhe duke i ardhur në ndihmë çdo turisti të huaj apo vendas, me orientimin e duhur në lidhje me lëvizjen.

Rikujtojmë qytetarët se mbrëmjen e sotme, në këtë aktivitet do të lejohen të hyjnë vetëm personat të cilët janë të pajisur me biletë. Pranë vendit të quajtur “City Center”, këta shtetas do t’i nënshtrohen edhe një kontrolli fizik, ku nuk do të lejohet mbajtja e sendeve të ndaluara dhe më pas do të mund të hyjnë në brendësi të Terminalit, vetëm nëpërmjet hyrjes kryesore nga “City Center”.

Shërbimet e Policisë, kanë siguruar dhe janë në marrje e vlerësim të çdo lloj informacioni për persona të cilët mund të kenë tendenca për veprime të dhunshme. Aktualisht janë duke u verifikuar disa shtetas, me qëllim sigurimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e eventit, deri në përfundim të tij.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 129 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri të konstatuar, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat