Instituti i Gjeoshkencave tregon pasojat e ndryshimit të klimës për Shqipërinë

Shqipëria

Instituti i Gjeoshkencave tregon pasojat e ndryshimit të klimës për Shqipërinë

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Aktiviteti njerëzor po ndryshon klimën e Tokës në mënyrë të pashembullt në mijëra ose qindra mijëra vjet, me disa ndryshime që janë të pashmangshme dhe të pakthyeshme, paralajmëruan shkencëtarët e klimës në fillim të gushtit  kur u publikua raporti historik i Panelit Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike. Shumë sektore të rëndësishme janë prekur, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO), i cili monitoron treguesit klimatikë, pranoi në një deklaratë se efektet e ndryshimit të klimës po vihen re edhe në Shqipëri.

“Temperatura mesatare vjetore është rritur, sidomos në 10 vitet e fundit. E njëjta gjë vërehet edhe te temperaturat minimale dhe maksimale vjetore që kanë tendencë rritjeje, sidomos në 10 vitet e fundit. Sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar. Kemi sasi më të mëdha reshjesh në një kohë më të shkurtër. Gjithashtu duhet përmendur fakti që kemi më pak reshje në formë bore, edhe në sasi dhe në shpërndarje,” tha Instituti për Monitor.al.

Ndër të tjera, IGJEO theksoi:

“Shqipëria, nga shtrirja fiziko-gjeografike, është e mbrojtur nga uraganet, sepse duke qenë se ne lagemi nga dete të mbyllur, nuk rrezikojmë nga fenomene të tilla. Fenomene nga të cilat ne rrezikojmë nga deti janë erozioni bregdetar dhe përmbytjet. Në një publikim të Bankës Botërore mbi profilin e rrezikut të kimës të Shqipërisë, thuhet se vendi ynë ka përjetuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore prej 1°C që nga vitet 1960.”

Në dhjetor të vitit 2020, studiues në Spanjë ngritën alarmin për për dëmtimin e industrisë së turizmit nga ndryshimi i klimës. Pensionistët britanikë, skandinavë dhe gjermanë, prej pak kohësh preferojnë që vendet e Mesdheut t’i vizitojnë në pranverë dhe vjeshtë, ku temperaturat nuk janë shumë të larta. Por netët, ku temperatura nuk zbret më shumë se 20 gradë Celcius janë në rritje dhe kjo gjë mund të ndikojë negativisht dhe Mesdheu mund të jetë shumë i nxehtë për pushuesit.

Ditën e djeshme, në 1800 qytete të botës, përfshirë edhe Tiranën, u organizuan protesta në kuadër të lëvizjes Fridays for Future (Të Premtet për të Ardhmen) duke kërkuar veprime urgjente për të trajtuar krizën e klimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat