Burg për “mësuesin” dhe shefin e Financës së Këshillit

Shqipëria

Burg për “mësuesin” dhe shefin e Financës së Këshillit

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Gjykata ka lënë në burg ditën e sotme dy personat e përfshirë në skemën e korrupsionit në Zyrën Arsimore Dibër, Halit Shehun dhe Fitim Farrukun.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha  siguroi dosjen e këtij rasti korrupsioni në qarkun e Dibrës.

Halit Shehu u arrestua pasi i dha një shumë parash Fitim Farrukut, i cili është shefi i Financës së Këshillit të Qarkut që ky të ushtrojë ndikim në  Zyrën Vendore Arsimore Dibër në punësimin e Halitit si mësues.

Bazuar në gjendjen ekonomike, shoqërore dhe rrethanave të kryerjes së veprës penale, për të është caktuar masa “Arrest në burg”.

Sipas dosjes, bazuar në bisedat telefonike dhe relacionin e Oficerit të Policisë Gjyqësore, më datën 27 shtator 2021, Halit Shehu ka biseduar në telefon me Fitim Farrukun, me detyrë punonjës në Këshillin e Qarkut Dibër. Gjatë bisedës rezulton se Haliti bën përpjekje të punësohet si mësues, por e ka të vështirë. Për këtë kërkon ndihmën e Fitimit, i cili i ka thënë që të marrë diplomën dhe në CV dhe të nesërmen të takohen . Më pas Haliti komunikon me bashkëshorten dhe nga biseda ajo i kërkon që të takojë Fitimin., pasi ky i fundit ka miqësi me drejtorët që kanë në dorë punësimin e tij.

Bashkëshortja e udhëzon Halitin që t’i japë lekët që ka me vete. për këtë ajo e pyet nëse i ka me vete dhe ai i thotë që ka 80.000 lekë. Ajo i thotë që t’ja japë atij ato.

Më pas Haliti bashkëbisedon sërish me bashkëshorten, e cila i thotë se ajo punë ka mbaruar dhe se do të punësohet pasi ai t’ia japë shumën e parave Fitimit, ndërkohë që takimi mes tyre është lënë paraditen e datës 28 shtator.

Pas përgjimeve, ata janë vënë nën vëzhgim nga policia gjyqësore. Nga përgjimi i bisedave telefonike dhe vëzhgimi i ambientit është parë se Haliti dhe Fitimi janë takuar në një lokal në Dibër dhe Haliti i ka dhënë një zarf, në të cilin dyshohet se janë paratë.

Pas disa minutash, ata janë ndarë me njëri- tjetrin dhe Fitimi është larguar bashkë me zarfin, ndërsa më pas ka telefonuar një person tjetër dhe janë lënë të takohen. Oficerët kanë mbajtur nën vëzhgim takimin e tyre dhe më pas i kanë kapur.  Nga kontrolli personal, ka rezultuar se në zarfin e bardhë të Fitimit janë gjetur 100 mijë lekë.  Ndërkohë nga verifikimi i bërë i personit që po takohej me Fitimin ka rezultuar se është Lulëzim Dani, bashkëshorti i Brikena Danit, e cila është me detyrë Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Dibër. Nga kontrolli i tij ka rezultuar se në telefonin e tij ai kishte regjistruar numrin e telefonit që Fitim Farruku kishte biseduar më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat