Afera që çoi në burg Thoma Gëllçin, 18-muaj hetime për tenderin rreth 1 miliard lekë

Shqipëria

Afera që çoi në burg Thoma Gëllçin, 18-muaj hetime për tenderin rreth 1 miliard lekë

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 08:46
Thoma Gëllçi

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka arrestuar mbrëmë ish-drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarë të Komisionit të Ofertave të televizionit shtetëror.

Sipas SPAK, është regjistruar një procedim penal për veprën “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë apo ankande publike”. Nga hetimet ka rezultuar se Thoma Gëllçi ka kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me fond limit 86. 908 550,00 lekë, zhvilluar në datën 9 nëntor të vitit 2018. Mësohet se Policia e Shtetit ka referuar materialet në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda që prej vitit 2019, ndërsa janë dashur 18 muaj hetime për finalizimin e këtij procedimi.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi mbrëmë zyrtarisht se në datën 28.02.2020 ka regjistruar procedimin penal nr. 82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij procedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë procedim, rezultoi se: Në procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550,00 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J. T., A. M. dhe E. M., shkelje këto të kualifikuara në elementet e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal. Po kështu, nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH. G., me detyrë ish-drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

MASAT E SIGURISE

“Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ‘Arrest në burg’ ndaj shtetasve nën hetim J. T., A. M., E. M. dhe Th. G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 79, datë 07.10.202, vendosi: ‘Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Vendosjen e masës të sigurimit personal ‘Arrest në burg’ ndaj shtetasit nën hetim Th. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimit i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Vendosjen e masave të sigurimit personal ‘Arrest në burg’ ndaj shtetasve nën hetim J. T., A. M. dhe E. M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal. Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin e SPAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat