Mediu: Shqipëria nuk gëzon më një republikë parlamentare. Asnjë vend i BE-së s’e ka ndryshuar Kushtetutën për tre ditë

Shqipëria

Mediu: Shqipëria nuk gëzon më një republikë parlamentare. Asnjë vend i BE-së s’e ka ndryshuar Kushtetutën për tre ditë

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 15:30
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu këtë të mërkurë deklaroi se Shqipëria nuk gëzon më një republikë parlamentare, por një republikë të ekzekutivit.

Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjilacionit, Mediu tha se kemi një Parlament që ka funksione jo thelbësore, por anësore në lidhje me detyrat e tij kushtetuese, i cili s’mund t’i realizojë dot ato, pikërisht për shkak të autoritetit që ne i kemi dhënë ekzekutivit.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që ne duhet të vendosim funksionimin institucional të këtij vendi, bazuar në republikën parlamentare. Nga një analizë e imja, që shpresoj të mos jem i gabuar, ne nuk kemi më një republikë parlamentare, por kemi një republikë të qeverisë. Me një parlament që ka funksione jo thelbësore, por anësore në detyrat kushtetuese që ka dhe s’mund të realizojë dot ato, pikërisht për shkak të autoritetit që ne i kemi dhënë ekzekutivit”, tha ai.

Mediu, i bëri thirrje deputetëve se duhet ta kuptojnë se nuk mund ta trajtojnë Kushtetutën e Republikës si një mall të tyre, pasi ajo është një pronë e qytetarëve të këtij vendi dhe që në radhë të parë ka si detyrë kufizimin e autoriteteve shtetërore dhe institucioneve në raport me të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

“Patjetër që duhet ta konsiderojmë që Kushtetuta nuk është vetëm një nen i vetëm, por është një marrëdhënie nenesh që garantojnë parimin “check and balance”, tha kreu i PR-së.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë vend i NATO-s, i Bashkimit Europian apo i vendeve kandidate që aspirojnë, këto dy vende, të cilët mund të kenë ndryshuar Kushtetutën në tre ditë, siç ndodhi me 30 korrik për interesa elektorale dhe politike.

Ai theksoi se asnjë nga këto vende nuk e ka ndryshuar Kushtetutën sa e kemi ndryshuar ne, duke e kthyer atë në një material krejt të pavlerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat