Rritja e kriminalitetit mes të miturve në Shqipëri

Shqipëria

Rritja e kriminalitetit mes të miturve në Shqipëri

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 20:45
Shqipëri

Përfaqësues të prokurorisë dhe gjykatës bënë të ditur se janë rritur rastet kriminalitetit tek të miturit. Vetëm në prokurorinë e Shkodrës, gjatë këtij viti janë regjistruar 22 procedime penale me 23 të mitur për vepra të rënda penale. Në takimin e zhvillur të mërkuren në Shkoder mbi nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional për drejtësinë për të miturit, me pjesëmarrjen e UNICEF-it, organeve të drejtësisë dhe shoqërisë civile, u theksua nevoja për zbatimin më të mirë të kuadrit ligjor për të miturit.

Kryetari i gjykatës së Shkodrës, Arbër Çela, tha se gjykata po shqyrton një numër veprash të rënda penale, ku janë përfshirë të mitur.

“Kemi një rritje të kriminalitetit tek të miturit në kohën që flasim. Dhe, kur flas për rritje të kriminalitetit, nuk e kam fjalën vetëm për rritje të rasteve në të cilat të miturit përballen me krimin, por, ajo që është më e keqja, është rritja e gravitetit të veprave penale që kryejnë të miturit”, tha ai.

Drejtuesi i gjykatës së Shkodrës tha se është e gabuar praktika e deritanishme që mjaftohet në ndalimin, procedimin dhe marrjen e vendimit nga ana e gjykatës dhe se procesi i rehabilitimit të të miturve duhet të vazhdojë.

Edhe përfaqësuesja e prokurorisë së Shkodrës, Françeskina Lekani, vuri në dukje se këtë vit janë rritur ndjeshëm veprat penale të të miturve.

“Gjatë vitit të kaluar, nga ana jonë janë filluar shumë çështje penale. Rreth 33 të mitur, në konflikt me ligjin, janë dërguar para Gjykatës se Rrethit Gjyqësor të Shkodrës dhe janë marrë në cilësinë e të pandehurit. Ndërsa, deri në shtator të vitit 2021 kemi rreth 22 procedime penale dhe 23 të mitur, që janë marrë në cilësinë e të pandehurit. Kjo tregon se kemi një rritje të kriminalitetit dhe, jo vepra të parëndësishme, por vepra shumë të rënda”, tha ajo.

Për përfaqësuesen e UNICEF-it në Shqipëri, Edina Kozma, legjislacioni për të miturit është mjaft i avancuar, por problemet lindin në procesin gjyqësor dhe mjetet e pamjaftueshme financiare.

“Sfidë mbetet implementimi i këtij kuadri normativ pothuajse të përsosur, ndërkohë që burimet janë të kufizuara, stafi, shpesh herë, është i mbingarkuar në punë, dhe buxhetet janë të pamjaftueshme”, tha zonja Kozma.

Për drejtuesen e programit “Bashkëpunimi ndërinstitucional për drejtësinë për të mitur”, Merita Bala, bashkëveprimi mes institucioneve duhet të zgjerohet në mbështetje të drejtësisë për të miturit.

“Ekziston një përceptim për një rritje të kriminalitetit. Prandaj ne, përmes kësaj ndërhyrje, synojmë një qasje të koordinuar, përmes institucioneve në nivel vendor, që të ndihmojmë në parandalimin e përfshirjes së të miturve në vepra penale, por edhe për mbrojtjen e tyre”, tha ajo.

Ekspertët thonë se rritja e nivelit të kriminalitetit mes të miturve lidhet me nivelin e varfërisë, situatën në familje dhe me mundësitë e pakta të shoqerisë shqiptare për të mbështetur procesin e rehabilitimit të tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat