“S’kemi mbaruar punën me Kadastrën”, Manja: Kemi një superhetim me abuzimet me pronën, kryesisht në bregdet

Shqipëria

“S’kemi mbaruar punën me Kadastrën”, Manja: Kemi një superhetim me abuzimet me pronën, kryesisht në bregdet

Më: 25 mars 2022 Në ora: 15:40
Ulsi Manja

Një ditë pas arrestimeve në Kadastrën e Sarandës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paralajmëroi sot zyrtarët dhe ish-zyrtarët që kanë abuzuar me dosjet e pronave shtetërore dhe private se do të jenë pjesë e hetimit.

Në një konferencë për mediet, Manja u shpreh se dje në Sarandë, forcat ligjzbatuese kanë vënë në pranga disa ish-zyrtarë dhe zyrtarë abuzues të Kadastrës, gjithçka pas një kallëzimi vetëm pak ditë më parë nga Drejtoria Antikorrupsion pranë Ministrisë së Drejtësisë, që ne kemi bërë publik.

Ministri falenderoi prokurorinë e Sarandës për arrestimin e zyrtarëve të korruptuar.

"Më lejoni të falenderoj prokurorinë e Sarandës për shpejtësinë, efektivitetin. I dyti rast ky, pas arrestimit të zyrtarëve të AKU-së në Fier. Besoj dhe shpresoj fort se ka nisur një erë e re në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e agjencive ligjzbatuese në vend me organet e reja të drejtësisë në Shqipëri. E nxis prokurorinë të rrisë performancën e saj edhe për të tjera kallëzime të tjera që janë dorëzuar nga Drejtoria Antikorrupsion."

Ai shtoi se Drejtoria Antikorrupsion që ai drejton nuk ka mbaruar punë ende në Kadastrën e Sarandës dhe as në të gjitha zyrat e Kadastrës kudo në Shqipëri.

"Drejtoria Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka në proces një superhetim me të gjitha abuzimet në pronën publike dhe private nga veriu në jug, me fokus të veçantë bregdetin. Dosja e hetimi e cila shtrihet në kohë që në momente kur kanë filluar abuzimet me pronën publike dhe private në Shqipëri. Në këtë hetim përfshihen ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Kadastrës, pavarësish rangut dhe detyrës që ushtrojnë dhe shumë shpejt pas përfundimit të këtij hetimi rezultatet konkrete do jenë në duar e SPAK jo si raste individuale, por si abuzime me pronat publike dhe private në formën e bashkëpunimit".

Ai theksoi se asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues me detyrën e shtetit, tashmë nuk ndihet i sigurt dhe as nuk mund ta bëjë gjumin i qetë.

"Dua të falenderoj që qytetarët denoncojnë. Hetimi, kallëzimi dhe aksioni i djeshëm ka ardhur pas denoncimit të një qytetari. Por dua po ashtu të ftoj qytetarët që denoncimet t’i bëjnë vetëm pasi ata nuk e zgjidhin hallin, por menjëherë sapo zyrtarët i shtyjnë në korrupsion apo nuk u japin shërbimet sipas ligjit. Nëse qytetari mbaron punë me zyrtarin dhe pastaj ankohet, minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit në Shqipëri. Ne duhet ta zhdukim mentalitetin e mbarimit të hallit me paligjshmëri apo duke paguar nën dorë".

Gjithashtu, Manja shtoi se "si koordinator i luftës kundër korrupsionit në emër të qeverisë shqiptare e them sot se çdo abuzues me pronën publike dhe private, pavarësisht gradës dhe funksionit që mban në administratë publike dhe shtetërore, çdo punonjës publik i këtij shteti që ofron një shërbim publik sipas ligjit dhe që e shet këtë shërbim publik në emër të shtetit dhe në zyrat e shtetit, do të përballet me forcën e ligjit. Ky është vullneti i palëkundur i kësaj qeverie dhe i kësaj njësie antikorrupsion për të luftuar korrupsionin në rangun e zyrtarëve të lartë publikë në Administratën publike dhe shtetërore".

Manja u shpreh se nuk është vetëm Agjencia Shtetërore e Kadastrës fokusi i punës së Agjencisë Antikorrupsion.

"Ju kam bërë me dije se në njësinë antikorrupsion po trajtohen 700 raste të ankesave dhe të kallëzimeve pranë kësaj njësie edhe për agjenci të tjera dhe shumë shpejt do kemi rezultate, por fokusin më të madh të ankesave dhe kallëzimeve e denoncimeve e kemi për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat