“Seancë paganësh”, Berisha jashtë Parlamentit: Nuk ka asnjë nen për të lehtësuar dhimbjen e shqiptarëve

Shqipëria

“Seancë paganësh”, Berisha jashtë Parlamentit: Nuk ka asnjë nen për të lehtësuar dhimbjen e shqiptarëve

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 18:58
Sali Berisha

Sali Berisha ka folur jashtë ambienteve të Parlamentit pas nisjes së sesionit të ri parlamentar. Ai tha se asnjë vendim apo nen nuk kishte të përfshirë interesin e shqiptarëve dhe solli në vëmendje rastin e Kosovës, ku qeveria ka marrë masa për të ndihmuar qytetarët në përballimin e krizës ekonomike.

Berisha: Një seancë pagane i turpëron paganët. Në një listë të gjatë vendimesh nuk kishte asnjë rresht të vetëm, asnjë nen dhe vendim për qytetarin shqiptar. Rikujtoj se vetëm dy ditë më parë, jo qeveria gjermane e cila dha 45 miliardë euro për qytetarët e saj, nuk e marr këtë shembull, por qeveria e Kosovës akordoi për qytetarët e saj 100 euro për çdo pensionist. Akordoi 100 euro për çdo student, 100 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve publike. 50 euro për çdo punonjës të administratës publike dhe dyfishoi fiks ndihmën ekonomike. E tëra kjo për të përballuar çmimet që sot në Kosovë, duke filluar nga nafta dhe të gjitha produktet bazë janë 30% më të ulëta se në Shqipëri.
Kurse ky parlament nuk ka asnjë vendim asnjë nen, ligj, për të mbështetur qytetarët shqiptarë në nevojë, në këtë periudhë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme, duke shfrytëzuar edhe rritjen e çmimeve me bordet komuniste të Edi Ramës.

 Parlamenti është shndërruar në një problem madhor për vendin sepse është shndërruar në një mbështetje të një sistemi që vjedh dhe mashtron qytetarët shqiptarë. Për qytetarët nuk ekziston asnjë interes minimal për t’i mbështetur, për të lehtësuar vjedhjen e tyre. Ka interes për të vjedhur. Ligji për amnistinë fiskale për të cilin flet me të madhe Edi Rama, ligji për dhunimin e medieve ishte në rend dite, ligji për kanabisin. Ka një kujdesje të veçantë që të sanksionohet me ligj ekonomia e krimit në Shqipëri apo krimi të kapë ekonominë shqiptare.

Berisha u shpreh se qeverisja e kryeministrit Edi Rama do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët këtë vjeshtë. Ndërsa i pyetur nëse do të ketë bashkëpunim me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Berisha tha se do të koordinohen dhe se do të ketë një aksion opozitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat