A do të zhvillohet sot seanca? Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Arbër Paplekaj del para gjykatës

Shqipëria

A do të zhvillohet sot seanca? Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Arbër Paplekaj del para gjykatës

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 10:14
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj

Pas shtyrjes për të gjashtën herë radhazi, sot do të mbahet sërish seanca për Arbër Paplekajn. Seanca është parashikuar që të mbahet në orën 09:45. Për shtyrjen e gjashtë radhazi është bërë shkak mos prania e të akuzuarit Paplekaj në seancë dhe kjo për një arsye të paparashikuar. Në një email të ardhur nga burgu është nënvizuar se nuk ka kapacitet për transportin e Paplekajt.

“Nuk ka një arsye objektive që varen nga ne, që seanca u shty. Ai donte të ishte në këtë seancë. Nuk kanë  kapacitet ta shoqërojnë edhe pse Arbri ka dashur të jetë i pranishëm. Kështu thotë emaili”, tha avokati i tij.

Paplekaj qëndron në paraburgim në burgun 313 në Tiranë. Nën hetim për këtë ngjarje kanë qenë edhe dy zv.drejtorët e policisë Nikollaq Pallën, Albert Nushin dhe 6 policët e forcave 'Shqiponja' për shpërdorim detyre.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Pak ditë më parë Report Tv publikoi edhe pamjet për herë të parë të vrasjes së Pjerin Xhuvanit.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat