Goditet një tjetër grup vrasësish me pagesë

Shqipëria

Goditet një tjetër grup vrasësish me pagesë

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 20:01
Foto ilustrim

Një tentativë e dështuar pengmarrje 2 ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës ndaj vëllezërve, Gentjan e Indrit Beqiraj ka çuar në zbërthimin e një grupi vrasësish me pagesë, të implikuar në disa vrasje.15 persona kanë përfunduar në pranga, në një operacion të policisë së Durresit, i koduar emrin “Porositësi”, mes tyre dhe dy vëllezërit Beqiraj, dëshmia e të cilëve ka zbërthyer grupin dhe financuesin e 2 vrasjeve. Sipas policisë së Durrësit, ai është Kasandër Noga, i arrestuar në Belgjikë për plagosjen e Erjon Hysenbelliut, me të cilin është në hasmëri prej vitit 2000.

Përpara se të plagoste Erjon Hysenbelliun, Kasandër Noga kishte porositur vrasjen e vëllait të tij, Geron Hysenbelliut, përmes Kevin Zenelit, të shpallur tashmë në kërkim dhe Ilirjan Feçit, të arrestuar në operacionin “Plumbi i Artë”, pas rrëfimit të Nuredin Dumanit.

Vrasja do të kryhej në një lokal në zonën e Don Boskos, por Kevin Zeneli dhe dy vëllezërit Beqiraj kanë ngatërruar objektivin, duke vrarë gabimisht më 4 janar të 2022, Erion Çelën dhe duke plagosur 4 persona të tjerë.

Këto janë pamjet e makinës së tyre gjatë atentatit, të siguruara nga Tv Klan. Personi që hap zjarr dyshohet se është Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç.

Një tjetër vrasje për të cilën akuzohen dy vëllezërit, Gentjan e Indrit Beqiraj ishte dhe ajo e 18 majit në Sukth, ku u vra Arben Mërkuri i njohur ndryshe si Maneci.

Edhe për këtë vrasje, policia thotë se porositës ishte Kasandër Noga, ndërsa ekzekutor sërish i riu, Kevin Zeneli, i cili është informuar dhe nga dy vëllezërit Beqiraj.

Drejtori i policisë së Durrësit, Skënder Hita tha se vrasjet e porositura do kryheshin kundrejt pagesave nga 50 deri në 150 mijë euro.

Mes porosive të marra, dy vëllezërit ishin kontaktuar nga një polic burgjesh, Flamur Bejko, tashmë i arrestuar për të kryer vrasjen e dy personave në Durrës, ekzekutim i cili nuk është finalizuar.

Shënjestrat ishin shtetasit me inicialet S.Z dhe I.H. Vrasja e tyre ishte planifikuar për t’u kryer të hënën e 3 Tetorit, vetëm 1 ditë para operacionit. Do të përdorej një sasi prej 4 kg eksploziv dhe një arme zjarri automatik. Dy vëllezërit kishin marrë parapagim 3500 euro për të blerë armën dhe eksplozivin.

Veç 14 të arrestuarve në kuadër të operacionit të koduar ‘Porositësi’ u shpallën në kërkim dhe disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, mes tyre edhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi ose Rrumi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat