Legalizimi i kanabisit mjekësor, rikthehet për konsultim nisma e qeverisë

Shqipëria

Legalizimi i kanabisit mjekësor, rikthehet për konsultim nisma e qeverisë

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 11:08
Edi Rama

Qeveria riktheu për konsultim publik projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, një nga nismat më të debatuara që në lançimin e saj.

Mbyllja e konsultimit të parë të projektligjit ishte parashikuar në gusht, por ekzekutivi e riktheu atë duke marrë më shumë kohë për shqyrtimin e tij. Drafti parashikon që subjektet që do të pajisen me një licencë duhet të kenë edhe një tjetër të ngjashme në një vend tjetër të OECD-së, si dhe zotërues të GMP-së, praktika e mirë e prodhimit e lëshuar nga EMA ose FDA, Agjencia Amerikane për Ushqim dhe Barnat.

Për këtë qëllim do të krijohet edhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit e Përpunimit të Kanabisit, strukturë e cila do të miratohet nga Kryeministri.

Pjesë e saj do të jetë Komisioni i Licencave që në përbërjen e tij do të ketë përfaqësues nga Shëndetësia, Ministria për Rendin dhe Sigurinë Publike, Ministria e Bujqësisë, si dhe ajo e Ekonomisë. Licencat do të jepen për një periudhë 15-vjeçare, vetëm për subjektet që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.

Aktivitetet e përfshira në këtë licencë nuk mund të transferohen te të tretët, me përjashtim të atyre të lejuara në përshkrimin e saj. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar, ndërsa e njësisë së licencës së dhënë nga 5 deri në 10 hektarë.

Kushtet e licencës sipas projektligjit do të rivlerësohen çdo 3 vjet nga agjencia përkatëse, ndërsa kontrolli e monitorimi i prodhimit apo tregtimit të kanabisit do të bëhet nga një njësi e specializuar brenda saj.

NDËSHKIMI 

Shqipëria është renditur e shtata në botë për vendet e përmendura në trafikun e kanabisit, ndërkohë qeveria “Rama” hodhi për herë të dytë për konsultim projektligjin që i hap rrugë kultivimit të kanabisit mjekësor. Ideja është pritur mes kundërshtimesh të forta, pasi tregu i kanabisit është kontrolluar deri tani nga grupet kriminale, që kanë fuqizuar bandat dhe janë bërë shkak për përplasje të dhunshme deri edhe vrasje.

Por sipas projektligjit, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore do të kryhet nën kontrollin e rreptë të qeverisë. Si fillim, një kompani duhet të ketë eksperiencë në këtë fushë, të jetë e licencuar nga BE-ja dhe duhet të paguajë një tarifë prej 100 milionë lekësh.

Puna do të monitorohet nga disa ministri, si ajo e Bujqësisë, e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit. Projektligji parashikon krijimin e një agjencie që mbikëqyr kompanitë që do të kultivojnë bimën narkotike.

Bari i mbjellë në sera do të jetë vazhdimisht i gjurmueshëm përmes një regjistri elektronik dhe po ashtu i gjithë procesi i kultivimit, korrjes deri edhe paketimit dhe eksportimit. Përcaktohet se një parcelë do të jetë mes 5 dhe 10 hektarë. Një kompani që kultivon kanabis mund të ketë deri në 4 parcela pranë njëra-tjetrës, pra nuk mund të ketë më shumë se 40 hektarë gjithsej.

“Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar”, thuhet në nenin 12 të projektligjit. Monitorimi do të jetë i rreptë, me një mori licencash dhe me detyrimin për të gjurmuar elektronikisht bimët e kanabisit.

“Gjatë fazës së verifikimit ministri mund të vendosë pezullimin e lejes së kultivimit”, thuhet në nenin 20 të projektligjit. Por, historia e kontrollit të këtij biznesi nga grupet kriminale shton rrezikun e devijimit të barit narkotik pasi është prodhuar. Penalitetet parashikohen në Nenin 40 dhe ndryshe nga çfarë ndodh deri tani, kur trafikantët e kanabisit dënohen me burg, për të licencuar e prodhimit të kanabisit mjekësor do të ketë vetëm gjoba.

Ndëshkimi do të jetë 5 milion lekë, nëse ka shkelje të tilla si reklamimi i barit, apo mosdeklarimi i sipërfaqeve të mbjella, apo refuzimi për të deklaruar parcelat, apo kur tejkalohet masa e parcelave të licencuara për kultivim të kanabisit. Sipas nenit 40 në projekt-ligj, nëse një kultivues i kanabisit ka mbjellë më shumë parcela se çka deklaruar dhe konstatohet se “nuk merr masa për keqpërdorim të kanabisit”, ai nuk dënohet me burg, siç ka ndodhur deri tani, por vetëm me gjobë.

Neni ku përcaktohen penalitetet për abuzimet me kultivimin e kanabisit duket krejtësisht i paqartë, por në thelb lë një hapësirë të konsiderueshme kultivuesve, nëse këta tentojnë ta trafikojnë lëndën narkotike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat