​Berisha për rastin e Lear Kurtit: Është vrasje shtetërore e banditëve të Edi Ramës

Shqipëria

​Berisha për rastin e Lear Kurtit: Është vrasje shtetërore e banditëve të Edi Ramës

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 13:14
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka shprehur revoltën e tij lidhur me vdekjen e të riut Lear Kurti, duke thënë se kriminelë me uniformë i morën jetën të riut dhe se ky akt i shëmtuar është një dëshmi tjetër se Shqipëria qeveriset nga një bandë e udhëhequr nga Rama dhe miku i familjes, Çuçi.

Ai duke fajësuar policinë e shtetit, kryeministrin dhe ministrin Çuçi, tha se ky është akti i disatë që vrasës me uniformë u marrin jetën të rinjve në rrugë, në makinat e policisë apo komisariat.

Berisha: Shqipëria qeveriset nga një bandë e udhëhequr nga Rama dhe Çuçi

“Ky akt shëmtuar është një dëshmi tjetër se Shqipëria qeveriset nga një bandë e udhëhequr nga Rama dhe miku i familjes, Çuçi. Me këtë rast, u bëj thirrje të gjithë të rinjve të ngrihen fuqishëm në një protestë të madhe, të protestojnë kundër kësaj vrasje mizore, kundër kësaj vrasje me torturë, e kanë vdekur në makinën e policisë. E kanë çuar të vdekur në spital. Nuk kanë kryer as gjërat më minimale ndaj një viktime dhe siç e patë ju, parlamenti i tyre refuzoi të mbajë një minutë heshtje. Qëndroi në anën e vrasësve, jo të viktimës. Edhe ky është një akt i shëmtuar. Nuk ka sesi, nuk janë rastësi këto përsëritje periodike. Policia është e mbushur me vrasës dhe trafikantë, policia është e mbushur me patronazhistë kriminelë. Ndaj ndodhi këto”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse krahasohen vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri nga policia në harkun kohor 18-mujor, janë më të shumta se në SHBA dhe Evropë, të marra së bashku, andaj sipas tij, këtu mbetet vetëm protesta dhe përballja me këta banditë hajdutë për shpëtimin dhe garantimin e jetës.

Berisha: Nuk e kanë dërguar drejt e në spital viktimën

“E kanë ndjekur pse nuk paraqiti dokumentin, në një distancë të gjatë, e kanë kapur, e kanë futur në makinë, janë sjellë kafshërisht me të dhe burimi thotë se në komisariat e kanë sjellë pa ndjenja ose të vdekur. Nuk kanë marrë autoambulancë për ta çuar në komisariat. Nuk e kanë dërguar drejt e në spital viktimën e tyre në makinë, por me një makinë policie e kanë dërguar gjoja në spital, de facto në morg”, tha ai.

Berisha u ndal edhe te protesta e pedagogëve, duke thënë se shpreh solidaritetin e tij për pedagogët, punonjësit e universiteteve dhe studentët, të cilët janë ngritur sot në një protestë kombëtare për të drejta më elementare, për rroga, autonomi, kërkimin shkencor dhe subvencionimin e studentëve.

Ai duke mohor se kjo protestë nuk është e PD-së, ka kërkuar ka kryeministri Edi Ramës të plotësojë me urgjencë kërkesat e universiteteve.

Berisha është pyetur edhe për protestën e PD-së.

Berisha: Partia Demokratike do të jetë në protestë

“Partia Demokratike po i përgatit protestat. Siç e dini, mbrëmë u bë mbledhja me të gjithë kryetarët e degëve dhe forumit rinor për Tiranën dhe u dhanë udhëzimet për një përgatitje intensive. Ndërkohë do vazhdojnë takimet me partnerët, aleatët, me Frontin për Shpëtimin e Shqipërisë, forca të tjera politike. Dhe asnjë diskutim që Partia Demokratike do të jetë në protestë, në protestë, në protestë”, tha ai.

Perndryshe, mediat ne Shqiperi raportuan se një 32-vjeçar i shoqëruar nga policia në Komisariatin nr 3 në Tiranë, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe më pas ka ndërruar jetë në spital.

Rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një 32-vjeçar të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar për t’i kontrolluar dokumentet e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentet e identifikimit, Lear Kurti është larguar me vrap.

Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat