“Mielli” me vlerë 40 milion dollarë në Fier, eksperti i kriminalistikës “zbardh” detaje

Shqipëria

“Mielli” me vlerë 40 milion dollarë në Fier, eksperti i kriminalistikës “zbardh” detaje

Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 20:05
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka reaguar lidhur me laboratorin e Kokainës të kapur ditën e djeshme në Frakull të Fierit.

Karamuço tha në ABC News se ka pasur dy sinjale për këtë ngarkesë kokaine që do të vinte në Shqipëri.

Sipas tij këto dy sinjale kanë qenë “prezenca e madhe e DEA në Shqipëri” si dhe nxjerrja e disa të dhënave në “e mail-et” e ish-drejtorit Gledis Nano, ku DEA tregonte rrugët e mundshme të kokainës në Shqipëri.

“Sinjali i parë prezenca e DEA, dhe sinjali i dytë një shkresë e nxjerrë nga hakerat, në muajin prill, ku DEA i drejtohej ish drejtorit të Policisë për rrugët për sjelljen e kokainës. Intinerari se ku do të shkonte kokaina. Kanë qenë dy sinjale të mëdha, është një operacion rajonal dhe jo shqiptar”, tha Karamuço.

Ai theksoi se fakti që kemi 22 agjentë të DEA në Shqipëri do të thotë që puna është marrë shumë seriozisht, pasi Shqipëria shihet si pikë përpunimi dhe trafiku të drogërave të forta.

“Edhe në Greqi është shtrirë operacioni i DEA. Si rasti kur u vendos çipi në portin e Greqisë dhe u bë një ngarkesë e gjurmueshëm. Pra e ka marrë përsipër DEA e ka survejuar që nga Kolumbia, në Greqi, kanë pritur të vijë ngarkesa në Durrës, se ka pasur efektivë të Byros në Durrës. Ajo u kalua në portin e Malit të Zi dhe më pas është shoqëruar për në Shqipëri. Këtu janë kapur rojet për shkak se duhej të shkonte ngarkesa në destinacion”, u shpreh eksperti.

Karamuço theksoi se kjo ngarkesë kaq e madhe e Kokainës ka marrë garanci nga grupe të tjera shumë të fuqishme, pasi sipas tij asaj do i duhej të kalonte në dogana.

“Një garanci nga grupe shumë të organizuara. Se janë rreth 40 milion dollarë. Dhe do kaloje në port, do kalojë doganën. Ajo lëndë nuk kalon në skaner, por do të kaloj në postblloqe pa u prekur. Pra duhet garancia”, përfundoi eksperti.

Kujtojmë se gjatë një megaoperacioni, ditën e djeshme u kapën dhe sekuestruan në Frakull të Fierit një sasi prej reth 430 kilogramë kokainë, e cila ka qenë e fshehur në 24 tonë pleh organik artificial.

Lajmin e konfirmoi edhe Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), gjatë një konference të mbajtur ditën e sotme.

Gjithashtu thuhej se kjo sasi kokaine ka ardhur në Shqipëri nga Kolumbia, duke kaluar tranzit nëpër dy porte, të Greqisë dhe Malit të Zi dhe vlera e saj, nëse do të dilte në treg, do të ishte rreth 40 milionë dollarë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat