Qëlloi nga makina me armë, por plumbi përfundoi në dritaren e një banese, policia në ndjekje të autorit të ngjarjes në Shkodër

Shqipëria

Qëlloi nga makina me armë, por plumbi përfundoi në dritaren e një banese, policia në ndjekje të autorit të ngjarjes në Shkodër

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 21:30
Foto ilustrim

Një qytetar nga Shkodra ka gjetur një plumb në dritaren e banesës se tij, në katin e tretë, ndërsa menjëherë më pas ka njoftuar policinë. Burime nga uniformat blu të Shkodrës bëjnë me dije për “BalkanWeb” se dyshohet për një plumb qorr, pasi ka qenë në rënie të lirë dhe jo drejt dritares.

Gazetari Senad Nikshiqi bën me dije se ngjarja ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur “Penda e zallit të Kirit”. Policia ka mbërritur në vendngjarje duke hetuar për të vënë në pranga personin ende të paidentifikuar që ka shtënë me armë e llojit pistoletë.

Janë ende të paqarta arsyet përse është qëlluar ndërsa policia po heton për të zbardhur të plotë. Nga të shtënat nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale.

Shkodër/Informacion paraprak

Më datë 14.12.2022, rreth orës 20:00, një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Hilë Mosi”, në lagjen “Skënderbeg”, në ecje e sipër ka qëlluar një herë, me armë zjarri, në ajër.

Si pasojë predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së shtetasit P. S., 57 vjeç. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.

Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër.

Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat