Dhoma Amerikane e Tregtisë: S’ka progres në luftën kundër korrupsionit dhe monopoleve

Shqipëria

Dhoma Amerikane e Tregtisë: S’ka progres në luftën kundër korrupsionit dhe monopoleve

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 09:05
Foto ilustrim

Asnjë progres në luftën kundër korrupsionit dhe monopoleve, ndërsa sfidë sipas Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, vijojnë të jenë po ashtu tregtia e pandershme, burokracia në qeverisje, sundimi i ligjit dhe sfida e gjetjes së fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Ky vit, por edhe viti që kaloi, ka qenë një vit me sfida të jashtëzakonshme, ka pasur një ndërprerje të fortë të zinxhirit të furnizimit në tregjet globale, por kemi pasur gjithashtu çrregullime të shumta në tregjet lokale. Kemi pasur probleme energjetike dhe rritje çmimesh gjithashtu. Me gjithë këto sfida indeksi i biznesit sipas Dhomës Amerikane, që është një perceptim i mendimeve që anëtarët tanë kanë, të cilët përfaqësojnë 20% të prodhimit të brendshëm në Shqipëri, dhe anëtarët tanë kanë qëndrueshmëri, optimizëm, dhe për këtë arsye indeksi i biznesit ka pësuar një përmirësim nga viti 2020 në vitin 2021.

Të njëjtat çështje vijojnë të mbeten sfida, si monopolet, tregtia e pandershme, nivelet e korrupsionit, burokracia në qeverisje dhe sundimi i ligjit së bashku me sfidën e gjetjes së fuqisë punëtore të kualifikuar. Këto janë 5 sfidat më të mëdha për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë”, tha Enio Jaço gjatë fjalës së mbajtur dje në konferencën “Forcat e punës, sfidat e së ardhmes në Shqipëri”, ku u prezantua edhe Indeksi i Biznesit për vitin 2021-2022.

INDEKSI I BIZNESIT

Në raport me një vit më parë ka një përmirësim të indeksit të besimit (+3.77), por kjo është e lidhur më së shumti me hapjen dhe rimëkëmbjen pas pandemisë COVID-19, kur bizneset u ndërprenë për një periudhë të gjatë. Për investitorët amerikanë, klima e biznesit është një çështje sfiduese, kjo pasi shumica e problemeve janë probleme të mbartura, të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje ndër vite. Sikundër vuri në dukje edhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, edhe për biznesin amerikan që operon në vendin shqetësim paraqet jo vetëm mungesa e fuqisë punëtore, por edhe monopolet, konkurrenca e pandershme, korrupsioni, burokracia qeveritare dhe ekonomia informale.

Në anketën e zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë morën pjesë 230 kompani amerikane. Pjesa më e madhe prej tyre kanë ngritur si shqetësim mungesën e punonjësve të kualifikuar kjo për shkak të emigrimit masiv. Në raport me një vit më parë, ky tregues është përkeqësuar me -9 pikë. E njëjta gjë vërehet edhe në treguesit e tjerë sa i takon korrupsionit, ku indeksi i besimit ka rënë me -0.79 pikë, burokracia qeveritare me – 1.64 pikë dhe zbatimi i ligjeve me -1.32 pikë. Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë nxjerrë në pah po ashtu edhe përkeqësimin e marrëdhënieve të biznesit me Drejtorinë e Tatimeve si edhe më ministritë.

IKJA E TRURIT 

Një ndër shqetësimet e ngritura gjatë konferencës së djeshme ishte edhe mungesa e fuqisë punëtore. Ndërsa renditi problematikat që kjo mund të sjellë, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, i bëri thirrje qeverisë të marrë masa dhe të zbatojë reformat që ka në letër. “Sfida e gjetjes së forcës punëtore të kualifikuar nuk është vetëm në Shqipëri. Por në Shqipëri një nga problemet që të gjithë po ndeshim është migrimi në intensifikim gjatë 2021. Migrimi perceptohet si një çështje sociale dhe është e tillë, por është një sfidë e jashtëzakonshme ekonomike që ka impakt negativ. Një brand drain i vërtetë po ndodh në Shqipëri, me statistikat që ne kemi.

Është dhe çështje sigurie, kemi dëgjuar probleme të mëdha, Anglia, Franca e Holanda kanë pasur probleme me migrimin, që mund të afektojnë dhe procesin e integrimit. Theksi i konferencës është jo vetëm të flasim për problemet që ne shikojmë, por me rëndësi të evidentojmë cilat janë problemet, si e shohim perspektivën e cilat janë zgjidhjet që mund të ofrojmë. Të ndërtojmë bashkë një motivim të vërtetë për njerëzit për të ndërtuar mundësi e perspektivë ekonomike në Shqipëri. Kollaj të themi që është detyrë e forcave politike, por është detyrë e gjithëve e sektorit privat, e administratës e biznesit për të punuar bashkë për të ndërtuar alternativa më të vlefshme për forcën e punonjësve. Trendet që kanë nisur në 2021-2022 do vijojnë edhe më tej.

Periudha post pandemisë i ka përshpejtuar këto trende, punonjësit e kualifikuar në gjithë botën, një trend ky i intensifikuar në Shqipëri, një pjesë e tyre punojnë në Shqipëri për kompani ndërkombëtare, por ka impakt të drejtpërdrejtë te kompanitë shqiptare. E kotë të mbyllim sytë para këtij trendi, por të gjejmë zgjidhje për t’i përballuar ato”, tha Jaço. Sipas tij, Shqipëria ofron në këto momente potencial të jashtëzakonshëm në lidhje me hapjen e negociatave me BE.

”Ta nxjerrim në pah e ta kthejmë në potencial. Me rëndësi të realizohet reforma, axhenda e investimeve, në shumë pika biem dakord me ministrinë, por ka ardhur koha që elemente të kësaj reforme t’i bëjmë realitet. Sektorët e mëdha, që kanë pasur sukses, fasonë call center, IT, për t’i ndihmuar këto sektorë të mësojnë një pjesë të madhe të punonjësve për t’i dhënë model më të avancuar që të jenë në gjendje të rrisin biznesin e t’i japin një update forcës punonjëse. Ideale që këto politika të kombinohen me politika shtetërore, lufta kundër pastrimit të parave janë faktorët kryesorë për ta bërë tregun e punës atraktiv”, tha Presidenti i Dhomës Amerikanë të Tregtisë.

Ministrja Ibrahimaj: Tregu duhet të ofrojë kushte të denja për punonjësit

Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e konsideroi po ashtu sfidë mungesën e fuqisë punëtore, ndërsa tha se për të ndalur hemorragjinë, tregu duhet të ofrojë kushte të denja për punonjësit. E pranishme në konferencën ‘Forcat e punës, sfidat e së ardhmes në Shqipëri’, e organizuar nga Dhoma Amerikane dhe Revista “Monitor” ministrja tha se tregu i punës, si çdo treg tjetër, përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Në këtë logjikë, një çmim më i mirë do ta mbajë punonjësin më të lidhur në punë. “Nuk dua të heq përgjegjësinë që ka qeveria në këtë drejtim. Ne sot paraqitemi me shumë sfida dhe emigracioni është një nga ato.

Ndryshimi i tregut të punës është sfidë me vete. 5 vite më parë kërkesat e tregut të punë kanë qenë komplet të ndrysmë nga ato sot. Punët e sotme janë punë që edhe para pesë vitesh mund të mos imagjinoheshin dot fare. Aftësitë e kërkuara sot janë të reja. Kjo do të thotë që politikat tona për ndërtimin e instrumenteve të duhur, për t’i ardhur në ndihmë tregut të punës duhet të jenë në zhvillim dhe lëvizje. Nëse para disa vitesh qeveria bënte një vrojtim të ‘skills recognize’ që bëhej në frekuencë 4-vjeçare dhe na jepte një pasqyrë shumë të mirë të asaj që kërkohej në ato moment dhe të politikave që ne duhet të hartonim, sot ky vrojtim duhet të bëhet më shpesh dhe duhet të jemi në një trend të vazhdueshëm të kërkimit për nevojat e tregut”, tha Ibrahimaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat