Berisha takim me fituesit e primareve për zgjedhjet lokale: Nuk ka parti më të hapur se kjo

Shqipëria

Berisha takim me fituesit e primareve për zgjedhjet lokale: Nuk ka parti më të hapur se kjo

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 13:38
Ish kryeministri Sali Berisha

Ish kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë të enjte një takim me fituesit e primareve të PD për zgjedhjet lokale.

Berisha vlerësoi procesin e zgjedhjes së tyre, si një ngjarje dhe zhvillim shumë të rëndësishëm në rrugën e konsolidimit të vlerave dhe demokracisë. Ai shtoi se nuk ka parti më të hapur dhe më demokratike se ajo që përveç anëtarëve fton të votojnë edhe simpatizantët e saj.

“Për këtë sallë, për këtë seli, për PD, kjo është një ngjarje shumë e veçantë. Kurrë ndonjëherë më parë këtu nuk janë ulur kandidatë për qytetarë të parë të bashkive të vendit. Një trupë që ka marrë vota nga anëtarësia dhe simpatizantë të PD më shumë se të gjithë institucionet e tjera të kësaj partie në të gjithë ekzistencën e saj. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne.

Është një zhvillim jashtëzakonisht i vyer, i çmuar, në rrugën tonë të konsolidimit të vlerave dhe demokracisë. Ju keni dalë nga një garë, keni konkurruar me bashkëluftëtarët tuaj. Keni dëshmuar në tërësi integritet dhe me garën që keni bërë keni transformuar, ridimensionuar pluralitetin në gjirin e PD dhe në Shqipëri në tërësi. Nuk ka parti më të hapur se partinë që bazohet në garën, konkurrencën e lirë dhe të ndershme të zgjedhjes së institucioneve të saj. Nuk a parti më të hapur se partia që vendos votën e lirë në themel të zgjedhjes së qeveritarëve të saj vendor, qendror dhe drejtuesve të saj.

Nuk ka parti më të hapur në mënyrë më demokratike se një parti që përveç anëtarëve të vet, fton të votojnë edhe simpatizantë të saj. Pranon jo vetëm personalitete politike të vetat por edhe prurje të shquara nga shoqëria civile dhe bota akademike. Të gjitha këto kanë ndodhur në këtë garë, Nuk them se kjo garë ishte e përsosur. Këto janë risi të pamohueshme të saj dhe secili ka kontributin dhe investimin në këtë realitet të ri të krijuar në PD dhe Shqipëri”, tha Berisha.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat