“Nuk mora para, e bëra për shoqëri”, zbardhet dëshmia për vrasjen e Menduh Kurt-Dedës

Shqipëria

“Nuk mora para, e bëra për shoqëri”, zbardhet dëshmia për vrasjen e Menduh Kurt-Dedës

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 11:50
Gazmir Ngota

“Nuk mora para, e bëra për shoqëri”. Kjo ka qenë dëshmia e Gazmir Ngotës, njëri prej të arrestuarve lidhur me vrasjen e Menduh Kurtdedës.

Ai ka shpjeguar se ishte vënë në dijeni për borxhin që Kurt-Deda i kishte Marjetës, nënës së shokut të tij, Besmir Karaj. Më tej, Ngota ka rrëfyer se ishte prezent që nga momenti kur Kurt-Dedën e kanë marrë me makinë në zonën e Xhamllikut. E kanë çuar në Allias, në një parking pranë shtëpisë së Besmirit dhe aty prezent shkoi edhe Marjeta. Pasi i kanë kërkuar kthimin e borxhit, Kurt-Deda fillimisht ka mohuar kthimin e shumës prej 10 milionë lekësh të vjetëra, por pasi është rrahur nga Besmiri, u ka kërkuar kohë për të kthyer borxhin.

Sipas Ngotës, me porosi të Marjetës, e kanë marrë Kurt-Dedën dhe e kanë çuar në Dajt, ku e kanë lidhur dhe djegur. Në dëshminë e tij, Ngota thotë se për këtë veprim nuk ka marrë para nga shoku i tij Besmir Karaj, por ka shpjeguar se e ka bërë për shoqëri.

Ndërkohë Marjeta Karaj, në dëshminë e saj ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit. Ajo  ka thënë se njihej me Kurt-Dedën, por për shkak të konflikteve marrëdhënia e tyre ishte shkëputur. 56-vjeçarja nuk ka preferuar të japë detaje më të hollësishme përsa i përket konfliktit që ka pasur më viktimën.

Kujtojmë që sipas informacioneve policore, viktima dhe Marjeta Karaj punonin së bashku në një organizatë të krijuar prej tyre. Karaj është drejtoreshë e qendrës “Ndihmë dhe kujdes për fëmijët jetimë të ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit”. Madje dyshohet se ajo ishte në një lidhje intime me viktimën.

Raportet mes tyre janë prishur për shkak të një borxhi. 56-vjeçarja, bashkë me të birin, Besmir Karaj, dhe shokun e tij Gazmir Ngota, kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, KurtDedën, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi 1 milion lekë të pashlyer. Pasi e kanë gjetur e kanë marrë me force në makinë dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Prej andej, Besmir Karaj dhe shoku i tij Gazmir Ngota 39 vjeç e dërguan me makinë 61-vjeçarin  në një zonë të pyllëzuar në Kodër Shupal, ku e lidhën, e dhunuan dhe e dogjën me lëndë djegëse duke i shkaktuar vdekjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat