Operacioni anti-drogë Shqipëri-Itali, ministri Çuçi: Një tjetër sukses i punës së skuadrave të përbashkëta hetimore

Shqipëria

Operacioni anti-drogë Shqipëri-Itali, ministri Çuçi: Një tjetër sukses i punës së skuadrave të përbashkëta hetimore

Më: 27 janar 2023 Në ora: 08:14
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka vlerësuar punën e përbashkët të autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për goditjen e një grupi kriminal që trafikonte drogëra të ndryshme nga Shqipëria në Itali. Në një reagim në rrjetet sociale, Çuçi shkruan se hetimi është kryer me profesionalizëm nga skuadra e përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë. Ministri i Brendshëm thotë se Policia e Shtetit ka fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në vendosmërinë për të goditur krimin. “Finalizimi i operacionit për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve që çoi në arrestimin dhe procedimin e dhjetëra personave brenda e jashtë vendit, është një tjetër sukses i punës së skuadrave të përbashkëta hetimore Shqipëri-Itali.

Një punë e kryer mirë e me profesionalizëm të lartë në çdo hallkë. Vetëm në dy vitet e fundit policitë tona janë përfshirë në 52 Skuadra të Përbashkëta Hetimore, një numër rekord po ta krahasojmë me vendet e tjera europiane. Kjo dëshmon besimin e lartë që ka sot Policia e Shtetit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendosmërinë tonë për të goditur krimin.

Përgëzime për Policinë e Shtetit, veçanërisht për efektivët që morën pjesë në këtë operacion, SPAK, Policinë dhe Prokurorinë italiane”, shkruan ministri Bledi Çuçi. Një hetim i nisur në vitin 2019 nga autoritetet shqiptare dhe italiane për një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, çoi në nxjerrjen e 62 urdhër-arresteve në dy shtete. 4 milionë euro u sekuestruan si të krijuara nga aktiviteti kriminal. 21 prej të cilave në Shqipëri, 15 të ekzekutuara nga Policia e Shtetit, ndërsa operacioni u koordinua nga Eurojust dhe Europol.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat