Shehi sulmon Metën dhe Berishën, u bën thirrje të largohen nga politika

Shqipëria

Shehi sulmon Metën dhe Berishën, u bën thirrje të largohen nga politika

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 11:27
Dashamir Shehi

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka sulmuar kreun e PL Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali  Berisha. Shehi deklaroi në një intervistë televizive se nuk do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita më 11 shkurt.

“Unë nëpër tribunë nuk hipi. Nuk ndajmë të njëjtat ide me ta, por gjykoj që çdo njeri e grup politik e shoqëria civile e biznesi duhet të reagojë ndaj kësaj situate. Si qytetar i jam bashkuar të gjitha protestave, si njeri politik nuk ndaj të njëjta ide as me Berishën e as me Metën. Unë gjykoj që kemi nevojë për adresa të reja politike, nuk riciklojmë vetveten pafundësisht. Këtu kanë ndodh gjëra në çdo kohë edhe në kohën e Metës e Berishës, duhet të largojmë Ramën kjo na bashkon, por nuk duhet të vazhdojmë qorrazi besnik të partisë”, tha ai.

Shehi theksoi se populli duhet të reagojë ndaj çdo të keqeje në këtë vend, që sipas Shehit këtu është kalcifikuar.

“Protesta është e rëndësishme, por nëse ia delegojmë pritshmërinë protestës bëjmë një gabim. Shpresoj që të jetë e madhe për të treguar se populli reagon ndaj së keqes, por këtu po ndodh përditë. Kokainë, pastruese, inceneratorët që nuk merret vesh ku kanë shkuar milionat këtu ndodh përditë nëpunës të lartë sa e kanë zhvleftësuar idenë e skandalit. E keqja është kalcifikuar”, deklaroi ai.

Shehi tregon formulën e bashkimit të PD

 Më tej kreu i LZHK-së Dashamir Shehi nuk e sheh zgjidhjen e çështjes së Partisë Demokratike në gjykatë, por përmes kompromisit mes dy palëve dhe duke i dhënë sinjal atyre që nuk janë për asgjësimin e njëra-tjetrës. Shehi deklaroi se ata të foltores t’i japin një pjesë të zonave të Shqipërisë të kandidojnë dhe këto t’i japin të drejtën e komisionerëve të përbashkët.

“Kjo punë nuk ka nevojë as për gjykatë, por për logjikë normale brenda dy grupeve politike që më shumë se merren me kundërshtarin, kanë një vit që merren me njëri-tjetrin. Kanë kohë e hapësirë për kompromis. Po ofroj një unë: Këto të Berishës janë shumica dhe nuk kanë vulën e logon. Ata të tjerët t’i japin vulën dhe ky t’i japë të drejtën të kandidojë  se nuk mund ta marrë të gjithë Shqipërinë ky. Ti japin sinjal njëri-tjetrit që këtu nuk jemi për të asgjësuar njëri-tjetrin. Ka të gjithë hapësirën nëse kanë dëshirë nuk kanë nevojë të shkojë në gjykata, por të bëjnë një kompromis burrash në tavolinë. Ata të foltores t’i japin një pjesë të zonave të Shqipërisë të kandidojnë dhe këto t’i japin të drejtën e komisionerëve të përbashkët. Kjo është formula për t’u bashkuar. Nëse nuk duan bashkohen të kenë burrërinë të thonë arsyet pse nuk bashkohen ta bëjnë këtë ndarje para se të shkojnë të votojnë që edhe qytetarët ta dinë pse po votojnë këtë grup”, tha ai.

Sipas Shehit, këtë herë Partia Demokratike ka shans për të kapërcyer problemet e brendshme, nëse del me kandidat të përbashkët në qarqet e mëdha.

“Këtë herë kemi shans të madh për të kapërcyer problemet e brendshme nëse kemi një kandidat të përbashkët në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë është e mjaftueshme. Ky është bashkimi ynë, pastaj për ato që mendojnë ndryshe ja ky është proporcionali dhe jemi të gjithë bashkë kundër Ramës e PS dhe bashkë me kandidatin e përbashkët”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat