Zgjedhjet vendore, Shehi: Këlliçi të dalë jashtë ‘Foltores’, PD nuk bashkohet, duhen figura të reja

Shqipëria

Zgjedhjet vendore, Shehi: Këlliçi të dalë jashtë ‘Foltores’, PD nuk bashkohet, duhen figura të reja

Më: 7 prill 2023 Në ora: 09:59
Dashamir Shehi

Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi ka deklaruar se kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Belind Këlliçi duhet të dalë jashtë ‘Foltores’ dhe t’i drejtohet politikisht qytetarëve të Tiranës, në mënyrë që të maksimalizojë votat për të fituar.

I ftuar në një intervistë televizive ditën e djeshme, ai u shpreh se partia e tij do të mbështesë kandidatët të cilët kanë mundësitë më të mëdha për të fituar në zgjedhje.

“Kandidimi për Tiranën është një impenjim i madh, por duhet të kishte një mbështetje të gjerë.  Brenda një grupi të caktuar opozita ka nevojë të bëjë një sondazh, kush është personazhi më i pranueshëm. Nuk pranuan, por vendosen interesat e veta brenda grupeve të tyre politike. Do të mbështesim atë që ka mundësitë më të mëdha. Gjykoj që për Tiranën është Këlliçi që ka më shumë shanse. Kam respekt për këdo që ka hyrë në garë. Nëse Këlliçi do t’i ofrojë qytetarëve një linjë të artë, duhet të kapërcejë mbi ndasitë, them se i ka votat që të fitojë. Duhet të dalë jashtë Foltores dhe t’i drejtohet politikisht qytetit të Tiranës, pasi bëhet fjalë për politike. LZHK do të mbështesë atë që ka mbështetjen më të madhe. Nuk po e ndajmë nga ana ideologjike, por pragmatike. Mbështesim kandidatët që janë më të favorizuar”, deklaroi ai.

Ndërkohë deputeti u pyet edhe në lidhje me përçajnë në Partinë Demokratike, ku theksoi se nuk ka shanse që të bashkohet, por edhe nëse ndodh një gjë e tillë nuk do të sjellë diçka të re.

Sipas Shehit, duhet të ketë hapësira për figura të reja. “Nuk besoj se do të ketë bashkim të PD-së dhe nuk pres ndonjë gjë të madhe nga bashkimi i tyre. Pres nga kjo histori që kushdo qoftë rezultati të ketë hapësirë për figura të reja. E kemi për detyrë që të shtyjmë jashtë pushtetit Edi Ramën”, nënvizoi Shehi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat