Vrau kunatën/ Misteri i armës që përdori 43-vjeçari, u gjet larg trupit të autorit - ja çfarë deklaruan prindërit

Shqipëria

Vrau kunatën/ Misteri i armës që përdori 43-vjeçari, u gjet larg trupit të autorit - ja çfarë deklaruan prindërit

Më: 8 prill 2023 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja për krimin e rëndë në Tiranë, ku 43-vjeçari Roland Sinani vrau me armë zjarri kunatën e tij Migena Sinani, nënë e dy fëmijëve, teksa flinte në dhomën e saj. Arma e krimit është gjetur disa metra larg autorit dhe kjo gjë ka ngjallur dyshime te policia, raportoi “BalkanWeb”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit në banesën e familjes Sinani. Sipas të dhënave, autori ka shkuar në dhomën ku flinte gruaja e vëllait të tij dhe mbesa 2 vjeçe dhe e ka qëlluar me armë. Pas kësaj ka dalë në oborr dhe ka vrarë veten. Ndërkohë i vëllai nuk ndodhej në banesë, por në punë pasi punonte si taksist.

Mësohet se nëna e autorit e ka parë të birin me armë dhe i ka kërkuar të shkojë të flejë, teksa më pas ka dëgjuar të shtënat.

“Unë e kam parë djalin me armë në dorë, i thashë ik të flesh. Kur dëgjova krismat shkova direkt te dhoma e nuses dhe gjeta vajzën e vogël duke qarë”, ka dëshmuar nëna e autorit në polici. E moshuara ka probleme të mëdha shëndetësore dhe vështirësi në ecje, për shkak të një rrëzimi dhe më pas i është nënshtruar një ndërhyrjeje duke vendosur hekura në këmbë.

Po një tjetër fakt ka ngjallur dyshimet e policisë, pasi arma, tip pistoletë e përdorur nga 43-vjeçari është gjetur larg trupit të tij edhe pse nga mënyra sesi ai ka rënë pa jetë nuk lë vend për dyshime se ai është vetëvrarë.

Sipas dëshmive, babai i autorit, edhe ai i moshuar dhe me probleme skleroze ka shkuar menjëherë të djali i tij kur ai dyshohet se ka qëlluar veten. Ka dyshime se i moshuari e ka larguar armën nga trupi i të birit. Gjithsesi policia po heton të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat