Nga njohja e kujdestarisë, vjetërsisë në punë, ilaçe dhe transport falas, Meta prezanton programimin e PL për personat me aftësi të kufizuar

Shqipëria

Nga njohja e kujdestarisë, vjetërsisë në punë, ilaçe dhe transport falas, Meta prezanton programimin e PL për personat me aftësi të kufizuar

Më: 29 prill 2023 Në ora: 11:51
Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një bashkëbisedim me personat me aftësi të kufizuara në Pogradec.

Meta shpalosi planin e PL-së për personat e aftësi të kufizuara, ku renditi pikat kryesore të programit. Meta tha se PL do të mundësojë njohjen e kujdestarisë dhe vjetërsinë e punës, barna dhe transport falas. Sakaq, tha se burokracitë kanë sjellë kosto të shtuara financiare për familjet e personave me aftësi të kufizuara.

Fjala e Metës:

Ju falenderoj nga zemra që më ftuar të marr pjesë në këtë takim kombëtar të Shoqatës Shqiptare të Personave me Aftësi të Kufizuara, për të diskutuar së bashku për problematikat dhe shqetësimet tuaja.

– Sfidat me të cilat ju, dhe gjithë personat me aftësi të kufizuara përballen çdo ditë, janë të shumta dhe është detyrë e të gjithëve ne, të gjendemi pranë jush dhe t’ju mbështesim, duke bërë të pamundurën për të dhënë zgjidhje konkrete për to.

– Edhe pse Shqipëria ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, që në vitin 2012, ka shumë për të bërë në drejtim të përfshirjes reale të personave me aftësi të kufizuara dhe zgjidhjes së çështjeve të tyre.

– Ende kemi mbetur në nivelin e skemave të pagesave për shkak të aftësisë së kufizuar, por që ka problematika të mëdha, sepse nga një raport i fundit, që është bërë për personat me aftësi të kufizuar (Prill 2023), në Shqipëri ka rreth 140 mijë persona PAK dhe vetëm gjysma e tyre marrin ndihmë financiare dhe nga këta, vetëm 25% e tyre kanë një kujdestar.- Ndërkohë në Shqipëri flitet shumë pak për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe mungon integrimi konkret dhe real në sfera të ndryshme, si në arsim, politikë, ekonomi etj.

– Edhe pse kemi një ligj për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe kemi, po ashtu, një Ligj për Mbrojtjen nga Diskriminimi, vazhdojmë të kemi një përqindje të papërfillshme të punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

– Sipas INSTAT, personat madhorë me aftësi të kufizuara në moshë pune, kanë 2 herë më tepër gjasa të jenë jashtë forcës së punës, sesa personat pa aftësi të kufizuar. Ndërkohë që PAK kanë nivel arsimor më të ulët, për shkak të mungesës së përshtatmërisë dhe ambienteve arsimore gjithëpërfshirëse.

– Mungesa e përshtatshmërisë në përgjithësi, në transport, teknologji, komunikim përbën një problem serioz për ta bërë punësimin të arritshëm, por edhe për të marrë shërbime të tjera të lidhura ngushtësisht me të, siç janë kurset e ndryshme të trajnimit apo formimit profesional.

– Sipas Eurostat, Shqipëria mban vendin e parë në Europë me përqindjen më të lartë të personave më aftësi të kufizuar, të cilët janë në rrezik të varfërisë apo përjashtimit social.

– Më shumë se 1 në 2 persona me aftësi të kufizuar në Shqipëri, ose 54,9% e tyre janë në rrezik varfërie, duke rezultuar shifra më e lartë mes vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë mesatarja e BE-së llogaritet në 29.6%.

– Por çfarë bën qeveria jonë? Në vend të mbështesë punësimin e PAK dhe ta stimulojë atë me politika mbështetëse për biznesin privat, dhe veçanërisht të shtojë numrin e të punësuarve PAK në sektorin publik, ku ka edhe mundësi e akses të plotë, në buxhetin afatmesëm 2023-2025, qeveria parashikon të punësojë në sektorin publik, mesatarisht çdo vit, vetëm 70 persona nga grupet e pafavorizuara.

– Ndërkohë që fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri, sipas UNICEF, kanë akses të pamjaftueshëm në programet e identifikimit dhe ndërhyrjeve të hershme, të shërbimeve mbështetëse në komunitet, të kujdesit shëndetësor dhe arsimit të vërtetë gjithëpërfshirës. Ashtu si edhe familjet e tyre kanë një rrezik të lartë për të rënë në varfëri, pasi ju duhet të përballen me kostot e larta që sjell kujdesi ndaj fëmijëve PAK.

– Në Shqipëri ka shumë problematika dhe pakënaqësi nga persona PAK dhe familjarët e tyre, për vlerësimin e aftësive të individëve PAK nga Komisionet e Rivlerësimit të Aftësisë së Kufizuar, dhe për detyrimin e paraqitjes çdo vit përpara këtyre komisoneve, duke sjellë kosto të shtuara financiare për familjet dhe njëkohësisht ka mungesë të theksuar të shërbimeve rehabilituese apo riaftësuese.- Partia e Lirisë, që në Konventën e saj të Parë Kombëtare në Tetor 2022, mori në konsideratë kërkesat e shoqatës suaj dhe të disa shoqatave të tjera të personave PAK, për mbështjen e qytetarët me dëmtime fizike e pluridifekte, që nuk mbulohen nga skema e sigurimeve shoqërore, duke përfshirë në programin e saj, si pagesën e sigurimeve shoqërore për kategorinë e ndihmësave të PAK dhe udhëtimin falas në sistemin e transportit ndër-qytetas me autobus dhe tren.

– Ndërkohë që Partia e Lirisë, gjatë kësaj periudhe, ka avancuar me propozime të tjera konkrete në ndihmë të kategorive PAK, qofshin ata fëmijë apo të rritur, siç janë: Kujdestaria; Terapitë e Zhvillimit në Qendra të Dedikuara; Programet e edukimit dhe mësimit; Trajtimi me barna, që dëshiroj t’jua bëj të ditur edhe juve.

1. Kujdestaria

Kujdestaria për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK) është një problem shumë delikat dhe që kërkon zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme. Është fakt që pagesa për PAK dhe ndihmësit e tyre është mesatarisht 10,000 lek në muaj, një shumë që nuk ndihmon dot as për nevojat bazike të tyre. Ndërkohë që prindërit apo të afërm të tjerë, ju duhet të kujdesen në vazhdimësi për personat PAK, duke mos patur mundësi të punojnë dhe si rrjedhojë as të kenë vjetërsi punë.

Partia e Lirisë propozon njohjen e kujdestarisë dhe të vjetërsisë në punë për të gjitha kategoritë e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe dyfishimin e pagesës mujore, si për PAK dhe për personat që kujdesen për ta.

2. Terapitë e Zhvillimit në Qendra të Dedikuara

Tirana sot ka vetëm 1 qendër të specializuar për PAK, ku shërbejnë specialistë të kësaj fushe e që financohet nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa 5 qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës janë multifunksionale, pra ju shërbejnë shumë problematikave si: shërbim mence, shërbime për nxitjen e punësimit, shërbime për parandalimin e riskut etj, problematika shumë të ndryshme nga specifikat e trajtimit të PAK dhe me kohë tepër të kufizuar dhe të pamjaftueshme për ta.

Partia e Lirisë merr angazhimin që me marrjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe të Këshillit Bashkiak të planifikoj ndërtimin dhe shtimin e qendrave të dedikuara vetëm për Personat me Aftësi të Kufizuara, ku të bëhet, jo vetëm trajtimi i tyre, por në rradhë të parë diagnostikimi sa më i hershëm.

3. Programet e edukimit dhe mësimit

Programet e edukimit dhe të mësimit për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe personave PAK kërkojnë infrastrukturë shkollore të përshtatëshme për ta. Për fat të keq, shkollat tona nuk ofrojnë realisht këto mundësi për edukimin dhe mësimin e këtyre fëmijëve.

-Partia e Lirisë angazhohet që do të marri masa të menjëhershme për krijimin e infrastrukturës së nevojshme, në kopështe e shkolla, për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke ofruar mjedise mësimore gjithëpërfshirëse dhe efektive.

-Partia e Lirisë angazhohet gjithashtu për shtimin e mësuesve mbështetës dhe specialistëve të dedikuar për fëmijët me aftësi të kufizuara, për të arritur raportin Një (1) mësues mbështetës/specialist të dedikuar për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara.

4. Trajtimi me barna

Si pjesë e rëndësishme e trajtimit të personave PAK është edhe trajtimi me barna. Sot, për fat të keq, në Shqipëri rimbursimi i këtyre barnave është zero!

Partia e Lirisë angazhohet që të rimbursojë barnat që do të jepen nga mjeku për personat me aftësi të kufizuar, duke hequr kështu një barrë dhe kosto të lartë për familjet e këtyre personave.

5. Transporti publik falas

Ndërkohë i është dhënë përgjigje edhe një kërkese tjetër tuajës, që e gjithë kategoria PAK të ketë transportin publik falas. Kjo kërkesë është tashmë një premtim i kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, z. Belind Këlliçi, që do të bëhet realitet me marrjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe të Këshillit Bashkiak.

6. Komisionet e Rivlerësimit të Aftësisë se Kufizuar

Për të lehtësuar kostot financiare të familjeve me PAK, por edhe për të siguruar një ndjekje të vazhdueshme e sa më të mirë të tyre, Partia e Lirisë propozon ndjekjen gjithëvjetore, nga ana e mjekut të familjes, sipas një protokolli të caktuar për këta persona në mënyrë që bën të mundur evitimin e daljes së përvitëshme përpara Komisonit të Rivlerësimit të Aftësisë se Kufizuar dhe duke mundësuar daljen përpara tyre një herë në 3 ose 5 vjet.

Rëndësia e angazhimeve tona do të sjellë një trajtim shumë më të plotë të gjithë kategorisë së Personave me Aftësi të Kufizuara, duke ju siguruar atyre një jetë më dinjitoze, përmirësim të dukshëm dhe natyrshëm një të ardhme shumë më të mirë.

Dëshiroj ta mbyll fjalën time më një thënië të njërit prej shkencëtarëve më të famshëm në botë, i cili ishte me aftësi të kufizuara, por që e kapërceu sëmundjen, për të paraqitur disa prej teorive shkencore më inovatore në shekujt e fundit, fizikanti britanik Stephen Hawking.
“Këshilla ime për njerëzit e tjerë me aftësi të kufizuara do të ishte, përqëndrohuni në gjërat që aftësia juaj nuk ju pengon të bëni mirë dhe mos ndjeni keqardhje për gjërat në të cilat ajo ndërhyn. Mos e kufizoni shpirtin tuaj nga gjendja juaj fizike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat