Azgan Haklaj rrëfen torturat dhe plas “bombën”: Ja si më vendosi tritol në shtëpi Ilir Meta dhe më vrau mbesën gazetare!

Shqipëria

Azgan Haklaj rrëfen torturat dhe plas “bombën”: Ja si më vendosi tritol në shtëpi Ilir Meta dhe më vrau mbesën gazetare!

Më: 2 maj 2023 Në ora: 13:42
Azgan Haklaj

Ish-deputeti demokrat dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Tropojës, Azgan Haklaj ka bërë një rrëfim tronditës që lidhet me një ngjarje të disa viteve më parë.

Teksa ishte i ftuar në një studio televizive ditën e djeshme, Haklaj tregon se 21 janari i vitit 2001 është dhunuar dhe ka qenë pjesë i shumë atentateve nga policia e kryeministrit të asaj kohe, Ilir Metës, ku një ndër ta ishte atentati me eksploziv në banesën e tij ku vdiq gazetarja dhe mbesa e tij Shote Haklaj.

“Kam qenë pjesë e disa atentateve, jam arrestuar politikisht në mënyrën më të dhunshme, më barbare nga policia e kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta nga 21 Janari të vitit 2001 në mënyrën më banditeske duke dhunuar edhe vajzën time që sapo kishte filluar të ecte. Më kanë shkulur thonjtë, më kanë djegur me cigare, më kanë shtrirë në dysheme zbathur, zhveshur nga Tropoja gjer në Tiranë. Më mbajtën 7 muaj në burg.

Po në këtë banesë në mesnatën e 31 tetorit të vitit 2001, ku kisha edhe ditëlindjen e djalit 4-vjeçar është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli e përzier me C4 ka hedhur në erë një pallat të tërë dhe ka vdekur gazetarja Shote Haklaj. Ka qenë një ngjarje shumë e tmerrshme, një akt terrorist i pashembullt.

Ngjarje ende e pazbardhur, në atë kohë janë vënë në pikëpyetje jeta e 20 familjeve, ka fluturuar një vogëlushe nga kati i pestë në të tretin në mënyrë diagonale me djep. Është shembur i tërë pallati, kanë mbetur disa të plagosur dhe ka vdekur Shote Hakla
j”, deklaroi ai.

Arrestimi

Më tej ish-deputeti demokrat dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Tropojës, Azgan Haklaj komentoi edhe arrestimin e tij, ngjarje kjo që sic thekson ai, nuk u hetua me themel, ndonëse sipas tij, pas këtij skandali fshihet kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Fakti qe unë isha arrestuar, ku u akuzova për prishje të mitingut të zotit Ilir Meta në Tropojë, i cili ishte në 26 shtator të vitit 2000 në fushatën e zgjedhjeve lokale dhe turma ka dalë jashtë kontrollit dhe është përplasur me komisariatin dhe unë u burgosa. Dhe Zoti Meta vendosi që të më arrestonte në atë mënyrë duke qenë pjesë e trupës që dërguan për të më arrestuar mua edhe njerëz që nuk ka qenë efektivë të  policisë së shtetit, askush nuk ka mbajt përgjegjësi gjer sot, prandaj ka pasur hetime të njëanshme”, nënvizoi ish-deputeti Haklaj.

Çfarë ndodhi asokohe?

Megjithatë gazeta “SOT” po kthehet pas në kohë, për të treguar disa detaje nga ngjarjet që mbërthyen Tropojën në fillim të viteve 2000, ku protagonist kryesor është ish-deputeti Azgan Haklaj. Kryerje e akteve terroriste, sulm ndaj institucioneve shtetërore, armëmbajtje pa leje, janë akuzat e formuluara nga Prokuroria shqiptare për të akuzuarit e ngjarjeve të Tropojës më 28 nëntor të vitit 2000.

Azgan Haklaj, kryetari i degës së Partisë Demokratike për Tropojën është personazhi më i fundit, të cilit i janë vënë prangat për këto ngjarje. Urdhri i arrestit të tij është firmosur me 5 janar të vitit 2001 nga prokurori i rrethit të Tiranës, Agim Çekrezi. Burg pa afat, është masa e arrestit që Gjykata e Tiranës i dha asokohe Haklajt dhe ai u dërgua menjëherë në burgun 313.

Protesta për votën e lirë ka qenë motivi që ka grumbulluar qytetarët e rrethit verilindor ditën e festës së Pavarësisë. Protestat nga paqësore janë kthyer shumë shpejt në një konflikt të armatosur me forcat e rendit dhe lufta sipas burimeve zyrtare, ka zgjatur afërsisht tre orë.

Në ngjarjet e Tropojës, ku disa qytetarë kanë sulmuar Gjykatën dhe Prokurorinë e rrethit mbeti i vrarë, në shkëmbim zjarri me forcat e policisë Syl Lusha, vëllai i Sali Lushës. Ndërsa numri i të plagosurve të publikuar nga Partia Demokratike ishte 28, numër ky që ka një diferencë shumë të madhe me shifrën zyrtare që është tre.

Në spitalin e kryeqytetit kishin shkuar pikërisht tre persona për të kuruar plagët e marrë gjatë asaj dite. I arrestuari i dy ditëve më parë, thuhet në materialin e publikuar në media në janar të vitit 2001, Azgan Haklaj është futur në grupin e tretë të të pandehurve.

Për disa kohë, ky person ka qëndruar i fshehur, por deklarata e prokurorit të Përgjithshëm, Rakipi, më 11 janar, se për Haklajn nuk ka asnjë urdhër-arresti, siç duket ia ka hequr dyshimin kryetarit të PD-së së Tropojës dhe ai është kthyer në shtëpi.

Por një grup i madh Forcash Speciale ia kanë prishur gjumin e së shtunës dhe e kanë shoqëruar me forcë në Komisariatin e Policisë. Më pas, ai është transferuar përgjatë gjithë natës në Tiranë dhe një ditë më pas është njohur me akuzën dhe ka marrë masën e arrestit.

Këto janë disa nga detajet që gazeta “SOT”, ka siguruar t’i gjej në arkivën e saj për t’i ndarë me lexuesin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat