Këlliçi: Do rindërtojmë teatrin/ Kandidati i opozitës akuzon Veliajn për prishjen e godinave historike

Shqipëria

Këlliçi: Do rindërtojmë teatrin/ Kandidati i opozitës akuzon Veliajn për prishjen e godinave historike

Më: 8 maj 2023 Në ora: 12:53
Belind Këlliçi

Kandidati i koalicionit për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, përsëriti premtimin e hershëm të opozitës për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ka qenë, ashtu siç ka qenë.

Gjatë një takimi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Këlliçi sqaroi se ai beson se ndërtesa e Teatrit Kombëtar duhet të ngrihet ashtu siç ka qenë, ndërkohë që bashkia mund të ndërtojë një teatër të ri në një pikë tjetër të Tiranës.

Unë jam pro zhvillimit dhe kam qenë “Pro” gjithmonë, që të ndërtohet një teatër i ri në Tiranë, por pa prishur teatrin që ne kishim, që ngrihej krenar, këtu prapa shpatullave tona. Sot që ne flasim, kemi parë në muajin dhjetor një ceremoni që ka kushtuar me dhjetra mijëra euro, për inagurimin e punimeve dhe ku sot që ne flasim kemi vetëm një gropë financiare, por mbi të gjitha shpirtërore, për të gjithë kryeqytetasit. Dua të zotohem para jush, që Teatri Kombëtar me Belind Këlliçin kryetar bashkie do të rindërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte

Këlliçi ka premtuar rikthimin e zonës historike të Tiranës në kufijtë që ka qenë para vitit 2018.

“Kjo ka një rëndësi jetike për të gjithë qytetin sepse kemi parë shpesh herë që godina, monumente historike të qytetit, plot 37 prej tyre janë hequr nga lista e mbrojtjes dhe 17 prej tyre, sot që ne flasim, janë rrafshuar, janë shembur për t`i hapur rrugën ndërtimit të kullave të betonit. E gjitha kjo në emër të zhvillimit

Nga ana tjetër, Këlliçi akuzoi rivalin socialist Veliaj, se po përgatitet të prishë edhe godina të tjera për historinë e Tiranës, si Teatri i Kukullave, i cili ka shërbyer si ndërtesa e parë e parlamentit shqiptar.

Një qytet që sot rrezikon të shembë dhe të prishë edhe Teatrin e Kukullave, godinën e Parlamentit të parë shqiptar, i cili në projektet e bashkisë Tiranë planifikohet të ndërtohet me disa restorante në katet e para dhe me lokale. Unë do t’i propozoj pas 14 majit, përmes rikthimit të referendumeve, përmes dhënies së hapësirës të gjithë qytetarëve për të vendosur ata, pra mundësinë qytetit për të vendosur për Teatrin e Kukullave.”

Për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe historike të Tiranës, Belind Këlliçi premtoi edhe ngritjen e Inspektoratit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat