Po transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen tre persona

Shqipëria

Po transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen tre persona

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Tre persona janë arrestuar nga policia e Sarandës pasi u kapën duke transportuar disa emigrantë të paligjshëm. Në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tyre.

Njoftimi i plotë:

Transportonin me 3 automjete, kundrejt pagesës, 13 emigrantë që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së, vihen në pranga 3 shtetas.

Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre, i cili lëvizte me automjetin e tij, para 3 automjeteve me emigrantët, për të monitoruar rrugën, për prezencën e shërbimeve të Policisë.

Njëri prej të arrestuarve, përsëritës për këtë veprimtari kriminale, aktualisht me masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”.

Sekuestrohen 3 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe automjeti tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Gjirokastër dhe me Frontex-in, në vijim të operacioneve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, bazuar dhe në infomacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 8”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur “Ish-miniera e Kripës”, Finiq, u arrestuan shtetasit E. K., 26 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. B., 23 vjeç dhe B. K., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Po në kuadër të këtij operacioni u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të këtyre 3 shtetasve, shtetasit L. C., 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka braktisur automjetin me të cilin lëvizte. Punohet për kapjen e tij.

Të 4 këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 13 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Shtetasit E. K., E. B. dhe B. K. drejtonin përkatësisht automjetet tip “BMë”, “Volksaëagen” dhe “Skoda”, me të cilët transportoheshin emigrantët, ndërsa shtetasi L. C. (i shpallur në kërkim pas identifikimit nga shërbimet e Policisë) lëvizte me automjetin e tij, me qëllim monitorimin e rrugës, për të shmangur shërbimet e Policisë.

4 automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat