Rritje e numrit të vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit

Shqipëria

Rritje e numrit të vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 09:01
Parku kombëtar i Butrintit

Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Në faqen e parkut bëhet me dije se në muajin që lamë pas pati një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që kaloi.

“Butrinti u vizitua nga 6,319 vizitorë më shumë se qershori i kaluar, ndërsa 6 mujori u rrit me 76 për qind ose 16,058 vizitorë më shumë se '22”, thuhet në faqen e parkut. Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si monument kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në parkun e Butrintit ka disa monumente, ndërmjet tyre përmendim kullën venedikase që daton në shekullin XVI, e cila së bashku me fortesën trekëndore që ndodhet matanë kanalit të Vivarit përdorej për ruajtjen e mjeteve të peshkimit, i cili ishte burimi kryesor ekonomik i Butrintit në atë kohë. Kulla është një ndërtesë katrore e drejtë me dy kate dhe me frëngji.

Teatri i Butrintit i daton shekullit IV-III p.e.s. Gjatë gërmimeve të viteve ‘30, në skenë u gjet një grup i madh skulpturash të cilat ishin në faza të ndryshme të thyerjes. Grupi i skulpturave përmbante portrete  të Augustit, gruas së tij, Livias dhe gjeneralin e madh Mark Vipsan Agripa, fituesin e betejës së Aktiumit. Tek kodra e akropolit ndodhen rrënojat e një stoe helenistike, e cila ka pasur tre porta trapezoide me mensola. Gimnasiumi është një nga komplekset me enigmatike që daton në shekujt I-II- të. Pagëzimorja është një nga monumentet kryesore të Butrintit dhe një nga pagëzimoret më të mëdha dhe më të sofistikuara të kohës së vet në të gjithë Mesdheun. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat