Vettingu e shkarkoi në 2019, ish-prokurorja Antoneta Sevdari merr shpërblim

Shqipëria

Vettingu e shkarkoi në 2019, ish-prokurorja Antoneta Sevdari merr shpërblim

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 17:48
Antoneta Sevdari

Ish-prokurorja Antoneta Sevdari e shkarkuar nga vettingu në vitin 2019, ka marrë shpërblim. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në “Fletoren zyrtare”.

KPA shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdarin në 28 shkurt 2019. Ky vendim erdhi pasi Sevdari kishte probleme me pasurinë e bashkëshortit. Komisioni Publik ankimoi vendimin për pasurinë e bashkëshortit, ndërsa Sevdari e justifikoi me punën e tij jashtë vendi, më konkretisht në Arabinë Saudite.

Sevdari u shpreh se natyra e të ardhurave të tilla, nuk parashtrohet në deklaratat e pasurisë pasi punëdhënësi i tij ka ndërruar jetë. Një tjetër çështje që solli shkarkimit ishte ankimimi i Komisionerit, pasi Sevdari akuzohej se ka pushuar çështjen për një ish-kryetar komune, i cili ka qenë i akuzuar për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE   PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 13.12.2022, PËR ÇËSHTJEN “SEVDARI KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.40662/19)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19, përfundimtar në datën 13.3.2023, në shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma në datën e kryerjes së pagesës.

Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses Antoneta Sevdari, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19.

Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %.

Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2023.

Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat