Dalin pamjet nga Pushimet e Melonit në Vlorë

Shqipëria

Dalin pamjet nga Pushimet e Melonit në Vlorë

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 00:36
Giorgia Meloni

Prej pasdites të së hënës Giorgia Meloni dhe familja e saj janë vendosur në rezidencën qeveritare në Vlorë.

“Në mesditë kamera e televizionit Klan ka arritur të fokusojë momentet kur kryeministrja italiane Giorgia Meloni sëbashku me familjarët e saj kanë lënë rezidencën qeveritare këtu në Vlorë për të pushuar në bregdetin jonian. Një skaf i autoriteteve shqiptare e ka shoqëruar atë drejt Dhërmiut, në rezidencën qeveritare ku ndodhet kryeministri Rama”.

Pas ftesës së përsëritur nga kryeministri Rama, Meloni pranoi të shijojë për 48 orë bukurinë e bregdetit shqiptar në kulmin e një sezoni të suksesshëm turistik.

Kryeministrja italiane është e shoqëruar në këtë vizitë private 2 ditore nga bashkëshorti i saj, vajza e saj si dhe e motra dhe bashkëshorti i saj.

Vizita e saj u lajmërua nga mediat italiane ndërsa mikpritësi i saj kryeministri Rama nuk ka bërë ende asnjë koment në rrjetet e tij sociale për ardhjen e saj në Vlorë.

Masat e sigurisë janë të shtuara në rezidencën qeveritare ndërsa pak metra larg saj pushuesit janë kuriozë të shohin kryeministren italiane që njësoj si ta ka zgjedhur bregdetin e Vlorës për të pushuar.

Jo vetëm pushuesit shqiptarë janë të përkëdhelur nga fakti që një kryeministre italiane zgjedh të pushojë qoftë dhe për pak orë në bregdetin shqiptar, por dhe ata italianë që janë të shumtë këtë mes Gushti në Vlorë.

 “Po jemi këtu pranë. Vlora ka një zonë të bukur. Një qytet i bukur, një det i bukur. Kryeministrja italiane dhe ai shqiptar po bëjnë këtu pushime”.

“E imagjinuam pasi pamë të gjithë bodygardët. Sepse Shqipëria po zhvillohet shumë, qyteti është shumë i bukur. Është e drejtë që vjen këtu që ta zhvillojë akoma më shumë. Është hera e dytë që vij. Shqipëria është shumë e bukur, e mrekullueshme”.

“Shumë mirë, më bëhet qejfi. Unë kam 20 vjet që jetoj në Itali dhe më bëhet qejfi që kryeministrja vjen këtu në Shqipëri, viziton vendet tona”.

“Privilegj është që ajo vjen të na vizitojë këtu, të shohë Shqipërinë. Mbase e ka parë, por të shohë Shqipërinë tonë të bukur”.

Meloni dhe familja e saj do të lënë Shqipërinë ditën e mërkurë dhe po me një traget të linjës si në ardhje, do të shkojnë drejt Pulias.

Giorgia Meloni dhe Edi Rama njihen për miqësinë e tyre e treguar mes momenteve të përqafimeve në samite ose takime ndërkombëtare. Meloni vjen për herë të dytë si kryeministre në Shqipëri, herën e parë ishte në 6 Dhjetorin e shkuar kur mori pjesë në samitin e BE në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat