Raporti i KLSH për Onkologjikun: Aparatura që nuk punojnë, mungesa në staf e shtretër

Shqipëria

Raporti i KLSH për Onkologjikun: Aparatura që nuk punojnë, mungesa në staf e shtretër

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

I vetmi spital Onkologjik që ka Shqipëria për trajtimin e sëmundjeve turmorale, nuk ka mundur t’iu jap shërbim të gjithë pacientëve, si pasojë e mungesës së disa aparaturave.

Kontrrolli i Lartë i Shtetit në raportin përfundimtar të  auditimit të performancës mbi “trajtimin e sëmundjeve tumorale”, ka nxjerrë në pahë se përgjatë vitit 2020-2022 , 600 gra të prekura nga kanceri gjinekologjik nuk janë trajtuar me radioterapi, pasi mungon pajisja e Brakiterapisë.

Po ashtu, mos vendosja në punë e aparatit të Ortovoltazhit, që trajton kancerin e lëkurës ka lënë pa shërbim 200 pacientë të tjerë të prekur nga melanoma.

Audituesit kanë konstatuar se veç mungesës së këtyre pajisjeve, në spitalin Onkologjik  pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të reja me  kancer nga viti në vit, shpenzimet në buxhet për trajtimin e tyre nuk kanë ndryshur.

Numri i ulët e poltroneve  të radioterapisë dhe shtretërve në këtë spital ka bërë që të rritet koha e pritjes për pacientët në marrjen e shërbimit.

Mungesa e burimave njerëzore është një tjetër gjetje e audituesve, e cila çon në ulje të efektivitetit të shërbimit të trajtimit, si dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve.

Spitali Onkologjik e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi në spital për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Në total janë trajtuar të hospitalizuar vetëm 9% të pacientëve, ndërsa 91% e tyre e  kanë marrë trajtimin e seancave të radioterapisë jo të hospitalizuar, sipas raportit.

Pranë Spitalit Onkologjik, nuk është ngritur dhe vënë në funksion njësia e kujdesit paliativ, për të bërë të mundur trajtimin e të sëmurëve paliativ me kancer në stadin terminal, nënvizon KLASH.

Në raport thuhet se Ministria e shëndetësisë nuk disponon raporte monitorimi dhe vlerësimi, si dhe mungojnë të dhënat në kohë reale të sëmundjeve tumorale si dhe nuk janë miratuar aktet administrative normative.

Mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve duke ulur besimin për një shërbim spitalor të denjë dhe të pastër duke treguar se shërbimi i Spitalit Onkologjik, nuk ka efektivitet të plotë, për trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim.

Në shqipëri numërohen çdo vit 6 mijë raste të reja me kancer, në rritje kanë ardhur edhe shtrimet në spital.

Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat