OMONIA denoncon parregullsitë me censin: Po i bëhet presion minoritetit

Shqipëria

OMONIA denoncon parregullsitë me censin: Po i bëhet presion minoritetit

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 15:51
Foto ilustrim

Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek, OMONIA ka denoncuar ato që i cilëson shkelje të të drejtave të minoritetit nga anketuesit e censit në javën e parë të regjistrimit të popullsisë dhe banesave.

Përmes një komunikate për mediat, OMONIA shprehet se në zonat minoritare “vihen re raste të përsëritura ku regjistruesit ushtrojnë presion emocional të pamotivuar tek qytetarët kur këta këmbëngulin për të regjistruar përgjigjet për origjinën e tyre Helenike dhe besimin Orthodhoks”.

“Regjistruesit shpesh herë paraqiten pa pajisjen e nevojshme elektronike dhe mbledhin të dhënat me shënime shkel e shko. Në shumë raste nuk i referohen fare  pjesës së Pyetësorit që lidhet me të dhënat mbi kombësinë, fenë dhe gjuhën amtare. Refuzojnë të marrin parasysh deklarimin e banorëve për pjesëtarët e njësisë familjare që nuk janë prezentë. Në mënyrë të përsëritur nuk u kthehen verifikimit të përgjigjeve për konfirmim para regjistrimit definitiv në platformën e Regjistrimit. Vihen re raste të përsëritura ku regjistruesit ushtrojnë presion emocional të pamotivuar tek qytetarët kur këta këmbëngulin për të regjistruar përgjigjet për origjinën e tyre Helenike dhe besimin Orthodhoks. Për më tepër në banesa ku regjistruesit abuzivisht konsiderojnë se banorët e tyre nuk jetojnë aty nuk bëjnë aktin e njoftimit me shkrim për përsëritjen e anketimit sipas përcaktimeve të Rregullores së Regjistrimit. Për më tepër është e patolerueshme fakti se autoritetet kompetente në njësitë vendore për ndjekjen në vijim të procesit, manifestojnë indiferencë të qëllimshme ndaj ankesave të qytetarëve për sa i përket shkeljeve të rregullave të Regjistrimit”, thuhet veç të tjerash në komunikatën e OMONIA-s.

Censi nisi më 18 shtator dhe do të zgjasë 4 javë, ndërsa të dhënat do tëë publikohen nga INSTAT në verën e 2024.

Censi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia ishte 2,821,977 banorë,  me një rënie prej 8%, nga censi 2001.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat