Ishin bllokuar në kanionin e Lengericës, policia shpëton 23 turistët e huaj

Shqipëria

Ishin bllokuar në kanionin e Lengericës, policia shpëton 23 turistët e huaj

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 18:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia u ka ardhur në ndihmë 23 turistëve gjermanë, polakë e francezë të cilët kishin mbetur të bllokuar në “Kanionin e Lengericës”, në Përmet.  23 turistët janë shoqëruar për në Përmet dhe iu është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore, e aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Përmet/Punonjësit e Policisë iu vijnë në ndihmë 23 turistëve gjermanë, polakë e francezë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në “Kanionin e Lengericës”, Përmet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, mesditën e sotme kanë marrë njoftim se gjatë eksplorimit të natyrës në këmbë, 23 turistë kanë mbetur të bllokuar, në zonën e quajtur “Kanioni i Langaricës”, në Përmet.

Menjëherë janë nisur në drejtim të kësaj adrese, bashkë me shërbimet e zjarrëfikësve.

Pavarsisht rreshjeve të shumta të shiut, pas disa orësh kërkime shërbimet e Policisë kanë gjetur 23 turistët gjermanë, polakë, e francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga rreshjet e shiut.

23 turistët janë shoqëruar për në Përmet dhe iu është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore, e aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për humanizmin dhe për ndihmën që iu ofruan.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat