Rama në Samitin e Granadës, hakerat rusë godasin faqet e internetit spanjolle

Shqipëria

Rama në Samitin e Granadës, hakerat rusë godasin faqet e internetit spanjolle

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 19:21
Foto ilustrim

Shumë faqe interneti publike dhe private në Spanjë, duke përfshirë qytetin e Granadës ku po mbahet samiti joformal i BE-së, janë shënjestruar nga hakerat rusë. Këta të fundit kanë marrë përgjegjësinë.

Sipas njoftimit të qeverisë spanjolle, të gjitha shërbimet tashmë po funksionojnë normalisht pasi masat e sigurisë u forcuan “pas valës së sulmeve kibernetike ndaj institucioneve të ndryshme spanjolle, që përkoi me takimin joformal” të liderëve europianë, mes tyre edhe kryeministri Rama.

Një nga objektivat e hakerëve ishte aplikimi për linjat e autobusëve të Granadës (Granada Bus), siç u bë e njohur përmes platformës X.

Me sulmet DDoS (distributed denial of service), sulmuesit dërgojnë një vëllim tepër të madh kërkesash në një faqe interneti, duke bërë që ajo të bjerë.

Grupi i hakerëve NoName, i cili mori përgjegjësinë përmes aplikacionit Telegram, shpesh kryen sulme të tilla kundër vendeve që mbështesin Ukrainën.

Në postimin e saj ajo nuk përmendi samitin e BE-së, por vetëm bisedimet e zhvilluara në Granada të enjten midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, i cili i ofroi Kievit gjashtë sisteme anti-ajrore HAËK.

“Duket se pjesa spanjolle e internetit po pret vizitën tonë, ndaj ne nxitojmë ta sulmojmë me raketat tona DDoS me rreze të gjatë veprimi”, shkruan grupi.

Sipas hakerëve, sulmet shkatërruan shumë uebfaqe qeveritare, duke përfshirë ato të metrosë dhe autobusëve të Granadës dhe portalin turistik të qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat