The Guardian: Plani BE-BM-Shqipëri për të luftuar trafikimin e migrantëve

Shqipëria

The Guardian: Plani BE-BM-Shqipëri për të luftuar trafikimin e migrantëve

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 21:26
Foto ilustrim

BE-ja ka bashkuar forcat me Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë për të zgjeruar luftën kundër kontrabandistëve të njerëzve në të gjithë kontinentin e gjerë, pas ndërhyrjeve të fuqishme të kryeminstres italiane, Giorgia Meloni dhe atij britanik Rishi Sunak në samitin e 47 liderëve evropianë, në Spanjë, sipas “The Guardian”.

Plani u krijua gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), në Granadë me pjesëmarrjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe liderëve të Francës, Holandës dhe Shqipërisë, Emmanuel Macron, Mark Rutte dhe Edi Rama

Gjithashtu planit që bashkuan edhe kryeministrat e Italisë dhe Britanisë së Madhe, Giorgia Meloni dhe Rishi Sunak.

Udhëheqësit dolën nga takimi duke buzëqeshur dhe Rutte u tha ndihmësve se “problemi ishte zgjidhur”.

Marrëdhëniet e ngrohta mes Sunak dhe Von der Leyen ishin gjithashtu të dukshme.

Macron u tha gazetarëve se kishin rënë dakord për një plan të ri prej pesë pikash për të ndërtuar dhe më pas eksportuar në të gjithë anëtarësinë e EPC-së, për të zgjeruar luftën e parë të bashkërenduar në mbarë kontinentin kundër kontrabandistëve të njerëzve.

“Sipas planit do të trajtohen jo vetëm kriminelët që operojnë me varka në Mesdhe dhe në Kanalin e La Manshit, por edhe krimin e organizuar në Evropën më të gjerë”, tha ai.

“Ne do ta zgjerojmë këtë format dhe këtë qasje ndaj EPC-së. Do të kishte shumë më tepër kuptim nëse kemi koalicionin e vullnetarëve, anëtarë të BE-së, të Komisionit Evropian, Shqipërinë dhe Britaninë e Madhe dhe të gjitha vendet e tjera të gatshme për t’iu bashkuar kësaj iniciative”, tha ai.

“Ne do të shtjellojmë dokumentin prej pesë pikash dhe do të propozojmë që anëtarët e tjerë të EPC-së të mund të bashkohen nëse dëshirojnë”, shtoi ai.

Plani u pa si një mbështetje për fushatën e Sunak për të diskutuar migrimin si çështje kryesore në rendin e ditës, në samit.

Pavarësisht mosmarrëveshjes diplomatike me vendin pritës, Spanjën, çështja e migrimit mungoi në axhendë deri të mërkurën mbrëma kur u zbulua se Sunak dhe Meloni kishin arritur ta vendosnin atë si pjesë të diskutimeve në samit.

Një diplomat raportoi se kryeministri britanik ishte i frustruar që migrimi nuk ishte në krye të axhendës, pasi konsiderohet të jetë tema më e nxehtë politike si në BE ashtu edhe në BM.

Kuptohet se Sunak po kërkon gjithashtu garanci se migrimi do të mbetet prioriteti në samitin e ardhshëm të EPC-së, i cili është planifikuar të mbahej në Londër qershorin e ardhshëm.

Burimet thonë se ai ishte gjithashtu i irrituar që një marrëveshje e re me agjencinë e mbrojtjes së kufijve të BE-së, “Frontex”, që do t’i jepte Britanisë së Madhe akses në shërbimet sekrete te BE-së, nuk ishte nënshkruar ende.

“Sunak anuloi konferencën për shtyp pasi donte t’i jepte përparësi takimeve me homologët e tij për të diskutuar mbi migrimin”, tha nje burim.

Pas futjes së suksesshme të çështjes së migracionit në axhendë, Britania e Madhe, BE-ja dhe Shqipëria do të punojnë për zbatimin e planit të tyre prej pesë pikash, së bashku me 17 anëtarët e EPC-së që nuk janë anëtare të BE-së për t’u bashkuar me aleancën kundër kontrabandistëve të njerëzve.

Ata do t’u ofrojnë vendeve të tjera ndihmë për të forcuar kufijtë e tyre dhe për të luftuar kontrabandën e njerëzve përmes shërbimeve të përbashkëta sekrete dhe strategjive të policisë dhe sigurisë.

Një dokument informues zbulon se ata do të punojnë gjithashtu në forcimin e misioneve të kërkim-shpëtimit për të shmangur përsëritje të tragjedive të ngjashme me atë në Greqi këtë verë, në të cilën vdiqën qindra migrantë.

Përveç kësaj, ata do të intensifikojnë përpjekjet në Afrikë me partneritete gjithëpërfshirëse me vendet kyçe për të adresuar shkaqet rrënjësore të migrimit.

Ata janë zotuar të punojnë në mundësitë për pranim dhe zhvendosje humanitare të personave që kanë të drejtë për mbrojtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat