Hetimet - Hajdarmataj: Hoteli në Vlorë, te Jahti i Sotës, ç’mund të zbulojë SPAK për Tahirin

Shqipëria

Hetimet - Hajdarmataj: Hoteli në Vlorë, te Jahti i Sotës, ç’mund të zbulojë SPAK për Tahirin

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 15:58
Saimir Tahiri dhe Besim Hajdarmataj

Ditët e fundit, në media është publikuar lajmi se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) po kryen hetime për pasurinë e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Nuk është e qartë nëse ka filluar një hetim pasuror në kuadër të ligjit të ashtëquajtur “Antimafia”, për veprën penale për të cilën është deklaruar fajtor e dënuar nga GJKKO apo ka filluar një procedim penal i ri, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

Në rastin e parë, fusha e zbatimit të ligjit “Antimafia”, nuk e përfshin veprën penale për të cilën ish Ministri i Brendshëm është deklaruar fajtor e dënuar.

Pavarësisht kësaj, ky lajm më riktheu në kohë, vite më parë, kur hetimet Prokurorisë për Krime të Rënda ndaj ish-Ministrit, ishin shumë domethënëse. Të paktën deri në shtator 2018, pasi, më tej, gjithçka u harrua dhe u shuajt në këto hetime e prokurorët, thjesht, u mjaftuan me dërgimin sa më shpejt të çështjes në gjykim.

Hetimet në atë periudhë ishin instensive, të gjithanshme, në drejtim të dokumentimit të veprave penale në të cilat ishte autor i dyshuar ish-Ministri, por edhe në drejtim të pasurisë së krijuar nga veprimtaria e dyshuar kriminale.

Kishte shumë të dhëna në këtë drejtim, që e vinin atë nën dyshime të shumëanshme; përfshirjea e ish-Ministrit si bashkëpunëtor në trafikimin e narkotikëve me kushërinjtë e tij Habilaj; kultivimi i lëndëvë narkotike në mënyrë massive dhe i kontrolluar nga Policia e Shtetit, kryesisht në vitin 2016; arrestimi i shtetasit Orest Sota me një shumë parash mbi 800 mijë euro; ndërtimi në bregdet në zonën e Radhimës i një hoteli, i dyshuar me investimet e Orest Sotës dhe ish-Ministrit; evidentimi i një mjet lundrues “Yaht” luksoz, të blerë në vitin 2017, në pronësi të shtetasit Orest Sota, me kapiten ish Ministrin Saimir Tahiri.

Hetimi për këto fakte kishte shkuar përtej indicjeve, pasi, përshembull, për ndërtimin e hotelit në zonën e Radhimës, kishte biseda e komunikime të shtetasit Orest Sota dhe Fatlinda Tahiri, bashkëshortja e e ish-Ministrit Tahiri.

Po ashtu, për mjetin “Yaht”, që ndodhej në Malin e Zi, dyshimi nuk ishte I kufizuar vetëm tek dokumenti i pronësisë, ku ish-Ministri figuronte si kapiten i Yahtit.

Ky dyshim shkonte edhe më tej, sidomos referuar bisedave ambjentale mes shtetasit Orest Sota e babait të tij, në kohën që ai u arrestua në Elbasan me mbi 800 mijë euro në makinë.

Madje, menjëherë pas arrestimit të Sotës, ata morën masa për të zhdukur dhe fshehur mjetin lundrues.

Nga shkëmbimi i letër-porosive me autoritetet e Drejtësisë në Malin e Zi, autoritetet shqiptare u njoftuan se mjeti lundrues ishte zhdukur nga radarët në nëntor të vitit 2017 nga vendi ku ishte ankoruar! Në letër porosi thuhej se zhdukja e mjetit lundrues, i referohej kohës kur në Shqipëri ishin publikuar në media arrestimi i disa personave që kishin lidhje me ish-Ministrin e Brendshëm.

Pra, hetimet në atë periudhë, deri në fillim shtatori 2018, kishin prodhuar shumë fakte në lidhje me aktivitetin e kundërligjshëm të ish-Ministrit të Brendshëm, por dhe sa i përket pasurisë.

Hetimet nxorën detaje për shpenzime të konsiderueshme të bashkeshortes së ish-Ministrit, kryesisht në vitet 2015, 2016, 2017.

Njëkohësisht, rezultoi se gjatë vitit 2016, 2017, ish-Ministri kishte marrëdhënie financiare, e madje, në kohën që ishte në hetim, kishte takime me biznesmenë të fuqishëm të vendit dhe ku dyshohet se ishte në kuadër të një raporti financiar dhe biznesi.

Nuk e kuptoj pse këto hetime u ndërprenë atëherë hetimet, madje edhe u dëmtuan, duke nisur nga kthimi i shumës prej 800 mijë euro të shtetasit Orest Sota.

Nuk u vijua asnjë hetim në këtë drejtim dhe u deshën të kalojnë më shumë se pesë  vjet që SPAK të fillojë hetimin për pasurinë e Ish-Ministrit, Saimir Tahiri.

Lajmi i shpërndarë në media shoqërohej me faktin se ky hetim pasuror nisi me “orientim” ose “kërkesë” të partnerëve ndërkombëtarë.

Pse duhet gjithmonë të na thonë partnerët për të bërë hetime të tilla ose këto hetime të lidhen me ndryshimet në drejtimin e prokurorisë?

Nga partnerët ne duhet të presim mbështetje dhe ndihmë për të bërë hetime të tilla, që në fakt nuk ka munguar asnjëherë, as në kohën kur ekzistonte Prokuroria për krime të Rënda dhe ishte në hetim çështja “Tahiri” dhe as tani që ndihma dhe mbështetja e tyre për SPAK është më e dukshme dhe shumë efikase.

Siç duket, është mirë që partnerët ndërkombëtarë të kenë informacion për shumë hetime të tjera, ku zyrtarë aktualë figurojnë të lidhur me krimin e organizuar, me qëllim që të nxisin prokurorët  e posaçëm për t’i rinisur ato hetime që kanë mbetur diku në zyrat e prokurorëve të SPAK-ut apo të transferuara nga kjo zyrë, pas shkrirjes së Prokurorisë për Krime të Rënda.

* Ish-drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe ish-prokuror i çështjes ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat