‘Bomba e fshehtë’ e Samitit të Berlinit në Tiranë

Shqipëria

‘Bomba e fshehtë’ e Samitit të Berlinit në Tiranë

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 18:46
Pamje nga Samiti i Berlinit

Ka disa ditë që po qarkullon në sallonet e larta politike dhe diplomatike, se ekziston një version shpërthyes që pritet të diskutohet sot në Samitin e Berlinit në Tiranë.

E kjo mësohet se është diskutuar prej kohësh, e siç bëjnë të ditur burime të rëndësishme në nivele të larta të shtetit shqiptar, është arritur një dakordësi.

Bëhet fjalë pikërisht për futjen e shpejtë të euros si monedhë kombëtare në Shqipëri dhe vdekjen e monedhës kombëtare lek. Madje disa flasin edhe për janarin e vitit 2024, ose e shumta 2025.

Ky diskutim, nuk se është një ide që mund të diskutohet e shtrohet me grupe interesi e institucione, por një vendim që e ka marrë vetë Edi Rama, i cili ka vite që po e negocion. Madje, siç mësohet, e ka përdorur me dinakëri, si një plan B nëse i refuzohet e bujshmja amnisti fiskale.

E tashmë është zyrtare që amnistia fiskale ka vdekur dhe për këtë është tërhequr edhe qeveria shqiptare,

Siç mësohet, negociatat e gjata me Komisionin Europian kanë qenë me një plan rezervë nga qeveria shqiptare. Domethënë, nëse nuk na lejoni që të bëjmë një amnisti të plotë fiskale, atëherë duhet të lejoni që një sasi parash që shqiptarët e kanë jashtë bankave në vendet ku jetojmë, t’i fusim në sistem. Një mekanizëm tashmë i provuar në Malin e Zi të Milo Gjukanoviç e më pas në Kosovën e administruar prej OKB-së pas 1999-s.

Po si është ky sistem?

Në Mal të Zi, e më pas në Kosovë, u vendos me urdhër politik zëvendësimi i monedhës jugosllave dinar me markën gjermane, gjë që solli një hyrje direkte në sistem të valutës që ishte jashtë bankave, si shiringë injektuese.

Por tjetër gjë marka, e tjetër gjë euro. Pasi edhe në Malin e Zi, edhe në Kosovë, në vitin 2002, kur marka u zëvendësua me euro solli ndikime jo të vogla tek njerëzit, pasi çmimet u rriten menjëherë duke zëvendësuar një markë që kishte vlerën më të vogël, me një euro.

Sot kemi disa vende të BE që kanë hyrë në euro pas vitesh e vitesh.

Kroacia dhe Bullgaria përshembull kanë hyrë në eurozonë në 1 janar 2023-shin, pas një kohe të gjatë kur kanë përgatitur ekonominë, e sidomos depozitat dhe rrjetin e pagesave me monedhën kombëtare që të hyjnë pa trauma në monedhën europiane.

Çfarë mund të sjellë një hyrje e Shqipërisë në eurozonë kështu në mënyrë traumatike?

Mund të sjellë që kush nga aktorët jashtë sistemit kanë euro, pra sipërmarrës, pjesë të ekonomisë së zezë etj, ata mund t’í fusin në sistem. Por konvertimi i menjëhershëm mund të sjellë një rritje të çmimeve të konsumit, që do të dëmtojë padyshim si biznesin e vogël, por sidomos atë pjesë të depozituesve të vegjël, të cilët kanë grumbulluar në banka një sasi të madhe lekësh. Të cilët vetëm konvertimi do t’i varfërojë keqas.

Ekspertët financiarë, gjithmonë kanë thënë se për këtë proces duhet njëfarë kohe, pra kohë tranzicioni, kur duhet të merren masa për të mbrojtur të gjithë ata që kanë pasur lekun si bazë të shkëmbimit e relacionit financiar në vend. Që janë natyrisht shumica e biznesit të mesëm e të vogël. Pasi bisneset e mëdhenj, duke nisur nga eksportuesit, importuesit apo kontraktuesit; të gjithë operojnë në euro. Këta të gjithë fitojnë, siç dhe fitojnë ata që sjellin monedhën e grumbulluar në xhepa të cilët i lejon sistemi. Në fakt, aministria fiskale mund të sillte një legalizim prej 70 përqind të parave jashtë sistemit, me këtë metodë llogaritet te 60%, ku rreth 10% e kanë monopolin banka e institucione të cilët kanë marrë në dorë komisionin e këtyre parave.

Po humbjen e qytetarëve, ku çdo çmim që nga buka i rritet me 20%?

Përshembull, nëse një bukë sot kushton 100 lekë, me euro i kushton 1 euro, por nëse rroga apo pensioni mesatarisht sot është 50 mijë lekë të reja apo 500 mijë lekë të vjetra, me euro nuk shkon 500 euro. Pra në thelb dëmtohet çdo qytetar, i cili përgjithësisht lekët i merr në bankat e nivelit të dytë, të cilët vetëm nga ky komision fitojnë miliona, e për këtë fitim, Rama ka kërkuar që të bëjnë fuzionin e parave jashtë sistemit. Ky duket se është një zhvillim bombë i Samitit të Tiranës, i cili, nëse merret kështu tak- fak, do të shkaktojë një traumë të madhe tek një pjesë e popullsisë, por tek një tjetër që janë oligarkët e bankat, do të ketë fitime marramendëse.

Me një fjalë; siç ka ndodhur deri më sot.

Po ku është opozita, e cila e di që kjo do të ndodhë?

Pjesa më e madhe e kësaj opozite është e interesuar më shumë në legalizimin e parave sesa në hallet e njerëzve, e ky është fakt, që ka dalë hapur qoftë nga tenderët publikë apo edhe nga lejet e marrëveshjet e ndryshme. Pasi politikën nuk e përfaqësojnë ata që mbështesin qytetarët, por thjesht sipërmarrësit e mëdhenj, që sot quhen oligarkë! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat