Situatë dramatike në Kuvendin e Shqipërisë, përleshen me grushte deputetët

Shqipëria

Situatë dramatike në Kuvendin e Shqipërisë, përleshen me grushte deputetët

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 17:28 Përditësuar në ora: 18:12 më 30.10.2023
Kuvendi

Përplasja vijon edhe jashtë Kuvendit. Nallbati dhe Sinaj konfliktohen sërish, i ndajnë deputetët

Edhe pse seanca plenare përfundoi, tensionet vijuan edhe jashtë ambienteve të Kuvendit.

Deputeti demokrat, Bledion Nallbati u përplas sërisht me deputetin socialist, Vullnet Sinaj.

Ishin deputetë aty pranë, të cilët ndërhynë duke shmangur një agravim.

Brenda në Kuvend, Nallbati u përplas fizikisht me Sinajn, duke  egoditur këtë të fundit, pasi kishte marrë fjalën.

Seanca plenare e kësaj të hëne në orën 17:00 nisi menjëherë me tensione, ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita.

Sali Berisha, i rikthyer në Kuvend me 22 deputetë, bllokuan Foltoren e Kuvendit sapo nisi seanca.

Përplasje fizike dhe debate të ashpra, mbyllet seanca në Parlament pas tensioneve

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla ka urdhëruar mbylljen e seancës plenare për ditën e sotme pas tensioneve të krijuara mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.

Nikolla urdhëroi mbylljen e seancës përfundimisht pasi deputetët u përfshinë në debate, por edhe dhunë fizike.

“Nuk keni për të ardhur kurrë në pushtet”, Beqiri irriton Nokën, deputeti i PD i “vjedh” mikrofonin

Flamur Noka i ka ‘rrëmbyer’ mikrofonin deputetit të PS, Ismet Beqiraj gjatë seancës plenare në Kuvend. Shkak u bë deklarata e Beqirajt, i cili tha se ‘me këtë sjellje, nuk keni për të ardhur kurrë në pushtet’.

“Po i tregoni popullit se s’keni për të ardhur kurrë në pushtet.

Sot jemi mbledhur për të diskutuar dhe peshën më të madhe duhet ta kishit ju.

Më vjen keq ju që keni folur dhe keni luftuar për të drejtën e fjalës.

Unë në respekt të thinjave që kam, pa dallim krahu, po u drejtohem me  një thënie të Naim Frashërit “Të gjithë jemi një farë, s’kemi asgjë për të ndarë”, u shpreh Beqiraj.

Seanca shoqërohet sërish me tensione/ “Keni futur Parlamentin në ngërç prej tre javësh”, kryeparlamentarja Nikolla i ndërpret fjalën Gazment Bardhi

Seanca plenare nisi sërish me tensionet pas ndërprerje prej disa minutash. Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi akuzoi kryeparlamentaren Nikolla se ka futur prej tre javësh Kuvendin në ngërç.

Bardhi: Prej tre javësh e keni futur Kuvendin në ngërç. Kurrë në historinë e Kuvendit nuk ka ndodhur që kryetarja e Parlamentit të shndërrojë veten në specialiste të arkivës së një partie duke injoruar Kushtetutën. Kurrë në historinë e Kuvendit nuk ka ndodhur që kryetarja e Parlamentit të hedhë në votim të drejtat e opozitës. Kurrë në historinë e këtij Parlamentit nuk ka ndodhur pa i dhenë e drejta e fjalës së opozitës për të drejtat e saj. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që të rrëzojë 8 kërkesa të Parlamentit.

Nikolla: Kjo nuk është procedurë. Të ndërpritet fjala.

Fjala e plotë e Gazment Bardhit që do mbante në Parlament:

Prej tre javëve mazhoranca socialiste e ka futur Kuvendin e Shqipërisë në ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të tij. Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja juaj znj. Kryetare, dhe më pas me votime antikushtetutese, ju keni marrë vendimin për të asgjesuar opozitën në Parlament. Kurrë në historinë e ketij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të shndërrojë veten në specialiste arkive të një partie, duke injoruar Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit.

Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedh në votim të drejtat e opozitës dhe kundërshtari politik të ketë votuar për ti asgjesuar ato. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që të votohet pa i dhënë as të drejtën e fjalës opozitës për të sqaruar kërkesat e saj. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca ti diktojë opozitës se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në Komisionet Parlamentare.

Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda një viti 8 kërkesa për Komision Hetimor, pa dhënë asnjë shpejgim, pa bërë asnjë përpjekje për të gjetur konsensus. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që 31 deputetë të opozitës të përjashtohen pse nuk pranojnë poshtërimin që po tenton ti bëjë mazhoranca. Kurrë. Pse e bëni ju këtë se jeni të fortë, jeni shumicë në popull, jeni duke qeverisur mirë? Jo! E bëni sepse jeni të mbuluar çdo ditë nga skandalet dhe doni të shuani edhe zërin e opozitës në Parlament.

Jua kemi bërë të qartë. Ne duam që Parlamenti të funksionojë normalisht. Por kjo nuk varet vetëm nga ne. Kjo varet nga ju. Hiqni dorë nga aktet e provokimit ndaj opozitës. Respektoni të drejtat e saj kushtetuese. Hiqni dorë nga sjellja sikur mandatet tona parlamentare i kemi dhuratë nga ju. Mandatet kjo pjesa këtëj i ka fituar me sakrificë, duke patur përballë jo thjesht ju, por bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar që ju na i vutë përballë. Hiqni dorë nga loja për të mos e lejuar opozitën të përmbush misionin e saj në një shoqëri demokratike.

Për cfarë kanë reaguar deputetët e opozitës? E keni pyetur ndonjëherë veten kolegë? Po ti znj. Kryetare e ke pyetur njëherë veten pse deputetët e opozitës janë ngjitur atje lart tek vendi juaj, për të mos ju lejuar të bëni ju detyrën tuaj.

Sepse ju znj. Kryetare nuk po na lejoni ne të bëjmë detyrën tonë. E sa kohë ju i njihni vetes të drejtën që të mos lejoni opozitën të bëjë e qetë punën e saj, si mund të pretendoni që ne tju lëmë të qetë të bëni punën tuaj.

Për cfarë jemi detyruar ne të mos lejojmë funksionimin normal të Parlamentit. 3 gjera krejtësisht minimaliste.

Së pari, Ju znj. Kryetare duhet të ndërprisni menjëherë ndërhyrjen në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD. Respektoni Rregulloren e Parlamentit. Respektoni vullnetin e deputetëve të opozitës. Respektoni opozitën, nëse dëshironi që ne tju respektojmë si Kryetare e Parlamentit. Nëse ju keni vendosur ta trajtoni veten si specialiste arkiv protokolli, atëherë nuk mund të qëndroni e ulur në karrigen e Kryetares së Kuvendit.

Së dyti, lejoni më shumë se 50 deputetë të opozitës të përzgjedhin përfaqësuesit që ata dëshirojnë në Komisionet Parlamentare. Është e drejta e tyre të caktojnë përfaqësuesit që dëshirojnë. Është e drejta e opozitës të bëjë betejat e veta për të cuar përpara reformat që janë në interes të qytetarëve. Pa asnjë ndërhyrje nga ana juaj. Pa asnjë diktim nga ana juaj. Kam dëgjuar kolegun Çuçi të thotë se reforma zgjedhore qënka cështje e partive politike. Jo i nderuar koleg. Reforma Zgjedhore është cështje e qytetarëve, jo e partive politike. Dhe vullnetin e qytetarëve, përfshirë edhe të partive si pjesë e shoqërisë, e përfaqësojnë në këtë sallë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Komisioni është Komision Parlamentar dhe jo Komision apo Këshill i Partive Politike. Ndryshimet ligjore miratohen nga Kuvendi. Kjo është shkresa e datës 7 Qershor 2022, sesi janë caktuar përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Pse doni ju ta ndryshoni praktikën parlamentare? Sepse nuk ju duhet opozita në Reformë? Më vjen keq por kjo nuk varet nga ana juaj. Kjo nuk është e drejta juaj. Kjo nuk është një cështje ku vota juaj duhet ta përcaktojë. Kjo është një e drejtë e opozitës dhe ju duhet ta respektoni.

Së treti, lejoni 45 deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues për kontroll ndaj Qeverisë. Ngritja e Komisioneve Hetimore është e drejtë kushtetuese e opozitës. Nuk jeni dakord me objektin, bëni propozim alternativ, sic Gjykata Kushtetuese ka theksuar në dhjetra vendime të saj. Po ju nuk mund të grisni Kushtetutën. Ju nuk mund të asgjesoni funksionet kushtetuese të opozitës.

Ju nuk mund të pengoni opozitën të hetojë shqetësimin për ndërhyrjet e paligjshme në Sistemin TIMS. Ajo cështje ka të bëjë me respektimin e të drejtës së qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Ju nuk mund të pengoni opozitën të hetojë shqetësimin mbi 4 kontratat koncesionare në shëndetësi. Ajo cështje ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve dhe me përdorimin me eficencë të parave publike. Ju nuk mund të pengoni opozitën të hetojë vendimmarrjet në kushtet e konfliktit të interesit. Ajo çështje ka të bëjë me abuzimet me pronat publike, me abuzimet me fondet e buxhetit të shtetit, ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik.

E në këtë drejtim kolegë të mazhorancës, nëse doni të bëni punën tuaj, duhet të na lejoni ne deputetët e ozpotës të bëjmë punën tonë. Sa kohë nuk e bëni këtë, ju keni asgjesuar opozitën në Parlament, dhe përmes saj keni asgjesuar vetë Parlamentin. Prandaj znj. Kryetare ju kërkoj të ndërprisni seancën plenare, të mblidhni veten, të reflektoni dhe ti krijoni hapësirën opozitës të bëjë punën e saj, të respektoni opozitën, dhe të na jepni mundësinë që edhe ne tju respektojmë, edhe ne tju krijojmë hapësirën që ju të bëni punën tuaj. Në të kundërt, ju po asgjesoni mundësinë e bashkëjetesës normale në këtë sallë mesa shumicës dhe pakicës parlamentare. Dhe përgjegjësia për këtë është vetëm e juaja.

Seanca në Kuvend rinis me debate, Noka i “rrëmben” mikrofonin deputetit socialist

Seanca parlamentare ka rinisur mes debatesh dhe tonesh të larta, me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla që ka vijuar me seancën duke i dhënë fjalën deputetit Bujar Çela

Çela u shpreh se ata që janë majtas duhet të rrinë në fushën e tyre, përveç Flamur Nokës, pasi sipas tij ky i fundit është i vetëm dhe mund të rrijë ku të dojë.

Megjithatë Noka ka reaguar duke i “rrëmbyer” mikrofonin deputetit, i cili edhe i është lutur të mos ia marrë.

Dhuna fizike mes deputetëve të PD dhe PS në Kuvend, Berisha: Provokim ndaj opozitës!

Përplasja mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës ka degjeneruar në dhunë fizike me nisjen e seancës parlamentare ditën e sotme.

Deputeti i opozitës Nallbati i është drejtuar karriges së deputetit socialist Vullnet Sinaj duke i shkulur mikrofonin, gjë që ka sjellë reagimin e këtij të fundit.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar menjëherë për dhunën në Kuvend, duke thënë se ishte një provokim për opozitën ndërsa shtoi se ky është parlamenti i një bande, i kriminelëve, i hajdutëve, i atyre që nuk kanë ligj e as moral, nuk kanë kushtetutë.

” Kjo skenë që shihni ju sot, kjo skenë që përbën një provokacion të ulët, banditesk ndaj opozitës e krijon fakti sepse këta bajlozë krimi në qeveri, këta hajdutë që kanë humbur çdo normë etike, morale, ligjore na përjashtojnë ne deputetëve të opozitës nga të drejtat kushtetuese të deputetit.

Një nga të drejtat më themelore kushtetuese të deputetit në parlament është e drejta e tij së bashku me 35 deputetë të tjerë të ngrejë komision hetimor parlamentar për të bërë transparencën për problemet e mëdha që ai konsideron.

Kjo e drejtë e sanksionuar nga kushtetuta nuk mund ti mohohet askujt. Mbledhja e firmave për një komision hetimor parlamentar, është automatike ngritje e komisionit. Por kjo nuk ndodh, sepse Edi Rama i ngërthyer nga aferat e tmerrshme vjedhje dhe korrupsioni, në drogë. Këta që besojnë se mund të shkelmojnë kushtetutën, këta janë banditë, këta janë një bandë e turpshme që nuk kanë asnjë moral dhe ligj.

Siç e shihni, banda Rama ka vetëm një qëllim, të mbrojë Edi Ramën nga krimet e tij të shëmtuara, nga vjedhjet monstruoze, të mbrojë familjen e tij nga pasurimi i paligjshëm, të mbrojë lidhjet e tij me drogën, me Pëllumb Gjokat, me Luftar Hysat.

Të mbrojë vjedhjet e mëdha që u bën shqiptarëve, të mbrojë dhunimin e votës. Por Edi Ramës i ka ardhur fundi.
Opozita është e vendosur që këtë betejë në parlament të mbrojë me të gjithë forcën, gjer në sakrificë sublime, të drejtat e saj kushtetuese.

Ky është parlamenti i një bande, i kriminelëve, i hajdutëve, i atyre që nuk kanë ligj e as moral, nuk kanë kushtetutë. E kanë shndërruar parlamentin në një strofull trafikantësh, hajdutësh, në një strofull të mafies së tyre shtetërore.

Dëgjoni parlamentin, ky është parlamenti i Edi Ramës i cili funksionon si repart garde, dhe nuk funksionon më si institucion i deputetëve.

Turp, turp e një mijë herë turp. Një histori turpi, histori horrash. Asgjë nuk do të mund të kaloni. Ta dini të qartë se beteja jonë nuk ka të ndalur. Këtu do të jemi”, u shpreh Berisha.

Degjeneron në dhunë seanca parlamentare, deputeti i opozitës godet me grusht kolegun socialist

Degjeneron në dhunë seanca parlamentare.

Deputetët e opozitës dhe mazhorancës janë përleshur fizikisht në Kuvend. Deputeti Bledion Nallbati ka goditur me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina.

Ky i fundit mori fjalën në Parlament për të shprehur shqetësimet për banorët që përfaqëson por deputetët e opozitës që bllokuan foltoren, kërkuan që ai të ndërpriste fjalën.

Akti u shoqërua më tej konfrontime midis deputetëve të të dyja palëve, ndërsa ndërhyri edhe Garda e Republikës.

Kjo detyroi kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolli që të ndërpriste seancën parlamentar për të paktën 5 minuta.

Situatë dramatike në Kuvendin e Shqipërisë, përleshen me grushte deputetët

Është mbajtur seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, teksa gjatë zhvillimit të saj momente dramatike kanë ndodhur pak minuta më parë.

Deputeti i Partisë Demokratike Gledion Nallbati është përleshur me deputetin e Partisë Socialiste Vullnet Sinaj.

Dyshohet se kur Vullnet Sina po fliste, Nallbati shkoi t’i mbyllte mikrofonin.

Seanca kishte filluar me tensione.

Nis me tone të ashpra dhe dhunë seanca në Kuvend, deputetët e opozitës “pushtojnë” foltoren, ndërpriten punimet e Parlamentit

Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvend ka nisur me përplasje mes përfaqësuesve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.

Kujtojmë se kjo seancë mbahet ditën e sotme pasi në seancën e fundit deputetët e opozitës nuk lejuan zhvillimin në kushte normale të seancës, e cila u shty.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u ka kërkuar deputetëve të Partisë Demokratike që të ulen në vendet e tyre dhe që seanca të zhvillohet normalisht.

Deputetët kanë refuzuar kategorikisht duke mbajtur qëndrimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat