Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, lirohet Mark Frroku dhe shtatë të arrestuarit e tjerë

Shqipëria

Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, lirohet Mark Frroku dhe shtatë të arrestuarit e tjerë

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 13:49
Foto ilustrim

Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtatë personat e tjerë, të arrestuar pas konfliktit për pronat në Kepin e Rodonit, janë lënë të lirë nga Gjykata e Durrësit.

Gjykata vendosi lirimin e menjëhershëm dhe vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Mark Frrokun,  Martin Lazrin, Antonio Lazarin, Pal Doda, si dhe për banorët Ylli Reka, Orgito Reka, Erjan Reka dhe Bajram Kaçuli.

Gjatë seancës, avokati i Provincës Franceskane Shqiptare, Sokol Dedndreaj, kundërshtoi prokurorin dhe kërkoi paligjshmërinë e arrestimit në flagrancë për 3 klientët e tij, Mark Frrokun, Martin Lazrin e Antonio Lazerin dhe kërkoi mos caktimin e asnjë mase sigurimi për ta. Sipas tij, Provinca Franceskane ka një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë AML Group, ku është ortak Mark Frroku. Personat e prezantuar si banorë të zonës kanë goditur punonjësit e firmës, të cilët ishin aty për të kryer detyrën.

Nuk qëndron akuza e ngritur, sipas avokatit, për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit, pasi ata kanë qëndruar aty dhe kanë dhënë dëshmitë përkatëse. Në seancë, avokati tha se Mark Frroku ka qenë në një lokal dhe është afruar e ka vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm që mundëson rrethimin e pronës, bazuar në një leje të lëshuar në tetor të vitit 2022 nga Bashkia e Durrësit.

Avokati i banorëve, Skënder Jaka, deklaroi se “konflikti është acaruar, po nuk është vetëgjyqësi, pasi kanë vepruar në mbrojtje të pronës së tyre“. Ai ia la në çmim gjykatës vleftësimin e arrestit, por kërkoi që të mos caktohet asnjë masë shtrënguese për katër banorët e arrestuar.

Konflikti për pronat në bregdet agravoi pak ditë më parë në përdorimin e armëve. Përfaqësues të kishës katolike françeskane kanë qenë duke rrethuar këtë pjesë toke për të kufizuar pronën e tyre të cilën e kanë me certifikatë pronësie. Por pronësinë e saj e pretendojnë dhe banorë të zonës. Familja Kaçuli ka një tjetër certifikatë pronësie dhe pretendon se e ka fituar atë përmes ligjit 7501. Të dyja palët u përfshinë në një konflikt fizik mes të cilëve dhe ish-deputeti Mark Frroku, po vendosnin gardhin për të rrethuar pronën e tyre.

Ndaj ish-deputetit Mark Frroku, që ishte në rolin e sipërmarrësit, dhe përfaqësuesve të tjerë të kishës françeskane rëndojnë akuzat për “kanosje”, “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “moskallëzim krimi”. Ndërkohë banorët e arrestuar akuzohen për “vetëgjyqësi” dhe “plagosje me dashje”. Në kërkim është shpallur një tjetër person, nga grupi i përfaqësuesve të kishës që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në vendin e ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat