300 vende të lira në polici, Rama apel të rinjve të aplikojnë për shkollën bazë

Shqipëria

300 vende të lira në polici, Rama apel të rinjve të aplikojnë për shkollën bazë

Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 00:12
Foto ilustrim

Në shkollën bazë të policisë për “Patrullën e Përgjithshme” janë hapur aplikimet për 300 vende të lira.

Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të rinjve deri në moshën 30 vjeçare, që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e saj.

“Ka një sfidë që të thërret. Sfida për të krijuar një të nesërme më të mirë. Një Shqipëri më të sigurt. Kërkojmë 300 aplikantë për t’ju bashkuar Patrullës së Përgjithshme. Aplikimet janë të hapura prej 2 nëntorit deri më 30 nëntor”, shprehet Rama në postimin e tij.

Rama njoftoi po ashtu se aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ndërsa kriteret e kërkuara për t’u pranuar në shkollën bazë të policisë, janë mosha jo më shumë se 30 vjeç, gjatësia jo më pak se 165 cm për djemtë dhe jo më pak se 160 cm për vajzat.

Aplikanti nuk duhet të jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera të sigurisë kombëtare. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

Të ketë mbaruar të paktën arsimin e mesëm. Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje.

Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B” si dhe të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.

 </p>

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat