Pasojat e ndotjes në Elbasan! Për tri ditë u dogjën materiale të rrezikshme dhe mbetje baterish

Shqipëria

Pasojat e ndotjes në Elbasan! Për tri ditë u dogjën materiale të rrezikshme dhe mbetje baterish

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Për rreth 3 ditë, radhë re të mëdha tymi mbuluan qytetin e Elbasanit dhe zonat rrotull, si pasojë e zjarrit të rënë në një masiv skrapi, në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik.

Emetimet në atmosferë kanë qenë kolosale ndërsa për specialistët thonë se pasojat e gazrave që lëshohen nga bateritë e makinave, plumbi etj, janë të rrezikshme për jetën e njerëzve.

“Ndotje e jashtëzakonshme. Kjo ndotje mendoj unë ka rrezikshmëri sepse atje digjen bateritë, akumulatorë e gjëra të tilla. Bateritë janë elementë të rrezikshme sepse ato kanë në përbërje të tyre plumb dhe elementë të tjerë të rrezikshëm që dëmtojnë lëkurën, sytë, mëlçinë etj, dhe kur vazhdojnë me ditë të tëra edhe më keq”, tha Ahmet Mehmeti, nga Klubi Ekologjik Elbasan.

Por ambientalistët shtojnë se rasti i zjarrit mund të konsiderohet një aksident dhe është e keqja më e vogël që i vjen Elbasanit në krahasim me ndotjen e përditshme që këto kompani shkaktojnë.

“Nuk është thjesht fatkeqësi, aty sheh çdo ditë oxhaqe që punojnë dhe nxjerrin tym të zi, që do të thotë nuk përdforin filtrat. Si mund të punosh dhe të ndotësh ajrin në mënyrë të tillë? Duhet vënë fre me zbatimin e ligjit. Nuk është vetëm kjo kompani. Aty ka mungesë të zbatimin të ligjit haptas, ose sfidë e karshillik me ligjin”, shtoi Mehmeti.

Ndërkohë Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin kryesisht për ndotje të ajrit ndaj kompanisë që operon me grumbullimin e skrapit. Në rast se hetimet nuk do të mbesin në mes, si zakonisht, për mungesë të ekspertëve, kjo do të jetë hera e parë që një biznes I madh hetohet për ndotje të mjedisit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat