ILD mbyll trajtimin e mbi 2 000 ankesave, merr fund problemi i “malit” me dosje

Shqipëria

ILD mbyll trajtimin e mbi 2 000 ankesave, merr fund problemi i “malit” me dosje

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 11:42
Foto ilustrim

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka arritur të përfundojë trajtimin e stokut prej 2104 ankesash e praktikash dokumentare të trashëguara, krahas punës së përditshme që inspektorët kanë me trajtimin e ankesave të depozituara direkt në ILD, procedimeve disiplinore, si dhe inspektimeve tematike e institucionale.

Ky fond i konsiderueshëm përmbante ankesa të patrajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht, apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, si dhe raste të hetuara pjesërisht, apo të papërfunduara nga ana e organeve të mëparshme, institucione që kanë qenë përgjegjëse për trajtimin e ankesave ndaj magjistratëve, apo që kanë vepruar gjatë periudhës kalimtare 2017-2020, deri në ngritjen e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Nga trajtimi i stokut ka rezultuar se procedurat e paplota te ndjekura nga organet e mëparshme për trajtimin e këtyre ankesave praktikave dokumentare, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare, janë trajtuar plotësisht nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ecuria tre vjeçare e trajtimit të këtij stoku të trashëguar ankesash reflekton rritjen e numrit të inspektorëve magjistratë e jomagjistratë vit pas viti pranë ILD-së, duke rritur volumin e trajtimit të stokut, respektivisht 72 ankesa të trajtuara në vitin 2020, 427 në vitin 2021, 534 në vitin 2022 dhe 1047 në vitin 2023.

Një metodologji e posaçme, e miratuar dhe publikuar në faqen zyrtare të institucionit, është përdorur për trajtimin e stokut, sipas një radhe përparësie të bazuar në kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

Nga stoku i trashëguar prej 2104 ankesash janë arkivuar 2080 ankesa, 14 ankesa janë në proces verifikimi dhe 10 ankesa janë në proces hetimi disiplinor.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar 34 vendime për vazhdim hetimi disiplinor, me anë të të cilave janë hetuar shkeljet e pretenduara ndaj veprimtarisë së 58 magjistratëve. (58 gjyqtarë). Nga këto 34 hetime disiplinore, 9 prej tyre kanë përfunduar me kërkesë për procedim disiplinor, që të 9 magjistratë gjyqtarë. Masat disiplinore të propozuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ishin “Shkarkim nga detyra”, për 3 gjyqtarë; “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit” për 5 gjyqtarë dhe për 1 gjyqtar u propozua masa disiplinore “Vërejtje publike”.

Për këto kërkesa të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka pranuar pjesërisht kërkesën për shkarkim nga detyra për 1 gjyqtar, duke vendosur për të një masë të ndryshme disiplinore, ndërsa në 2 rastet e tjera janë mbyllur pa vendim. Për 5 rastet, kur është kërkuar ulje page, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar 2 pjesërisht, ndërsa 3 raste i ka pezulluar për shkak të procesit të rivlerësimit. Për një gjyqtar për të cilin ishte kërkuar masa “Vërejtje publike”, KLGJ ka vendosur pezullim për shkak të procesit të rivlerësimit.

Me trajtimin e këtij fondi të trashëguar nga institucione të tjera, nëpërmjet procedimit disiplinor të magjistratëve për çështje apo ankesa të sjella në organet inspektuese shumë vite më parë, ILD ka plotësuar jo vetëm detyrimin ligjor, por përcjell edhe një mesazh të rëndësishëm për këdo mbi kulturën e pandëshkueshmërisë dhe të mosharresës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat