Shpërndarja e bonusit për pensionistët nis brenda këtyre ditëve, ja kategoritë që përfitojnë, qeveria jep detajet

Shqipëria

Shpërndarja e bonusit për pensionistët nis brenda këtyre ditëve, ja kategoritë që përfitojnë, qeveria jep detajet

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 10:48
Foto ilustrim

Pas disa ditësh do të nis shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët. Dje, nga Asambleja e Partisë Socialiste në Vlorë kryeministri Edi Rama zbuloi se bonusi për pensionistët ndryshe nga vitet e tjera do të shpërndahet më herët. Ai theksoi se mbrojtja sociale në të gjithë buxhetin e vitit 2024, 33% e të gjithës shkon për kujdes social. “250 milion euro në buxhetin e vitit të ardhshëm për pensionistët. Natyrisht që do donim që kjo shumë të ishte dhe më e madhe por ne ndërkohë kemi më shumë se asnjëherë më parë.

Asnjëherë nuk duhet harruar se numri i pensionistëve krahasuar me të gjithë të tjerët është shumë i lartë. Mbrojtja sociale në të gjithë buxhetin 2024 33% e të gjithës shkon për kujdes social që nga pensionistët për të cilët përveç rritjes së pensioneve përmes riindeksimit të vazhdueshëm të tyre është përcaktuar edhe bonusi i pensionistit, bonus që do ta japim përsëri tani në prag të festave por ndryshe nga vitet e tjera pikërisht për shkak se kemi një situatë financiare më të mirë se çdo vit tjetër do të fillojmë ta japim menjëherë, brenda disa ditësh do fillojë shpërndarja e bonusit të pensionistëve për festat e vitit të ri siç u bë dhe vitin e kaluar e gjatë gjithë viteve, por jo në fund të vitit por më përpara. Për herë të parë në vitin e ardhshëm do kemi 2% të shpenzimeve të buxhetit për mbrojtjen”, deklaroi ai.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës

Ndërkohë, nga Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Vlorë, kryeministri Edi Rama dha lajmin se nëse puna vijon me këto ritme, sipas tij, punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të përfundojmë brenda viti të ardhshëm. Ai theksoi se vitin e ardhshëm do të nis faza e certifikimit për të filluar testimet dhe për filluar më pas fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar i Vlorës. Sipas tij, do të jetë një aeroport që do operohet nga aeroporti ndërkombëtar i Mynihut. “Përpara sesa të vijmë këtu mu dha mundësia të shikoja kantierin e aeroportit të ri ndërkombëtar. Është punë mbresëlënëse e bërë deri tani dhe padyshim që nëse gjithçka shkon sipas parashikimit dhe nëse ky ritëm i punimeve mbahet si tani ne do kemi punimet të përfunduara brenda vitit të ardhshëm dhe menjëherë do jemi të gatshëm të hyjmë në fazën e certifikimit për të filluar testimet dhe për filluar fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

Do të jetë një aeroport që do operohet nga aeroporti ndërkombëtar i Mynihut. Përveç planit të punës të bërë përpara nisjes së punimeve tanimë kemi edhe dy mundësi të reja shumë të mira që do të jenë një vlerë e shtuar për aeroportin e ri ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Ndërkaq, sipas Ramës, krahas aeroportit të Vlorë, do të jetë akademia ndërkombëtare e kontrollorëve dhe seksioni i mirëmbajtjes së avionëve. Ai theksoi se akademia do të hapet në Vlorë pranë aeroportit. “Nga njëra anë kompania është në prag të firmosjes së marrëveshjes për mirëmbajtjen e avionëve me një kompani ndërkombëtare. Kështu do krijojmë një sektor krejt të ri të aviacionit civil në Shqipëri për mirëmbajtjen e avionëve. Ndërkohë prej viti Shqipëria është në vendin e parë në klasifikimin e aviacionit civil Europian për rritjen e numrit të pasagjerëve agjencia europiane ICAO ka vendosur që në Shqipëri të hapet akademia për kontrollorët ajrorë që është një tjetër sektor i ri që krijohet në Shqipëri. Kjo do jetë një akademi ndërkombëtare. Mendimi ynë është që këtë akademi ta hapim në Vlorë pranë aeroportit”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat